Gjashtë mijë denarët që janë të destinuara për pushime për njerëzit me të ardhura të ulëta në disa nga kapacitetet turistike të vendit, janë para të hedhur pa nevojë. Ky është vlerësimi i sektorit të turizmit në Ohër. Udhëzuesi turistik dhe profesori në Fakultetin e Turizmit në Ohër, Kliment Naumov, tha për Alsat se këto fonde janë të pamjaftueshme dhe se masa e tillë është krejt e dështuar.
“Prioritet mund të jetë gatishmëria infrastrukturore dhe ndërtimi i rrugëve hyrëse për në Ohër. Me 100 euro nuk mund ta kaloni ditën, e lëre më të pushosh dhe ta shijosh udhëtimin turistik”, pohoi Kliment Naumov profesor në Fakultetin e Turizmit në Ohër.
Naumov thotë se në këtë moment, qytetarët nuk e kanë hallin e shëtitjes, sidomos jo ata që kanë të ardhura të ulëta.
“Duke pasur parasysh së për një pushim të mirë për një familje prej katër personash nevojiten mes 400 dhe 500 euro në një hotel me katër yje, mendoj se kjo ndihmë nuk do të jetë e mjaftueshme, sepse ata që do ta marrin, janë një kategori njerëzish që nuk do mund ta mbulojnë pjesën tjetër që të mund ta shfrytëzojnë”, tha Jakim Malenko – pronar i agjencisë turistike.
Masa parashikon që të gjithë qytetarët e punësuar që kanë të ardhura që nuk kalojnë më shumë se 15.000 denarë në muaj, të marrin vauçerë prej 6,000 denarëve që do mund t’i përdorin në ndonjë nga kapacitetet turistike të vendit, por edhe një kartelë pagese prej 3,000 denarëve që mund ta përdorin në të gjitha objektet gastronomike. Vauçerët do mund t’i shfrytëzojnë nga 15 korriku deri më 15 dhjetor 2020. Turizmi në Ohër dhe Strugë seriozisht po i ndjejnë efektet e krizës./Alsat/
The post Maqedoni, Punëtorët e turizmit: Vauçerët për turizëm, punë e dështuar appeared first on Telegrafi.