Numri ditor i personave të infektuar me Covid-19 në vend edhe më tutje është treshifror. Gjatë ditës së djeshme ishin regjistruar madje 152 raste të reja me COVID-19. Me këtë, numri i tërësishëm i të diagnostifikuarve me virusin nga fillimi i epidemisë në vend arriti 10.086, ndërsa gjithsej ka 4199 raste aktive.
Numri i të shëruarve nga fillimi i epidemisë është 5427, ndërsa i të vdekurve 460. Deri tani janë bërë gjithsej 95.169 teste për Covid-19. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë dje ishin bërë gjithsej 1077 teste, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Instituti për shëndet publik gjatë ditës së djeshme ka regjistruar 70 pacientë të shëruar, dhe atë 23 në Shkup, 12 në Sveti Nikollë, nga nëntë në Tetovë dhe Gostivar, tetë në Kumanovë dhe gjashtë në Shtip. Gjatë ditës së djeshme nuk ka pasur pacientë të vdekur.
Nga OBRM-PDUKM dje akuzuan se masat e ndërmarra nga Qeveria për luftë kundër epidemisë janë të pamjaftueshme. Pikërisht tani pas zgjedhjeve, siç potencojnë, koronavirusi merr hov, njerëzit
vuajnë, mjekët dhe infermieret vdesin në punë, ndërsa masat dhe Komisioni për Sëmundje Infektive nuk janë askund. Sipas tyre, nuk ka ndryshime në luftën kundër epidemisë.
Nga partia qeveritare, sërish, potencojnë se kujdesi i Mickoskit është i rrejshëm dhe nuk kalon te qytetarët.
“Politika kur flet ndryshe, dhe vepron ndryshe është tërësisht e demaskuar. Qytetarët e panë mirë se kush punon për mbrojtjen e shëndetit publik, ndërsa kush e rrezikon. OBRM-PDUKM flet për mosrespektim të masave në fushatën zgjedhore, ndërsa pikërisht ajo parti dhe Mickoski ishin ata të cilët i kanë shkelur masat për mbrojtje nga koronavirusi. Të gjithë e panë se Mickoski nuk kujdeset për shëndetin e askujt”, kumtoi LSDM.
Sipas të dhënave të fundit, në korrniza globale me koronavirus deri tani janë infektuar 16.317.533 persona. Prej tyre kanë vdekur 650.260, ndërsa janë shëruar 9.981,282 persona.
Në vendet e rajonit në 24 orët e fundit në Mal të Zi janë regjistruar 52 raste të reja të personave me Kovid-19, në Serbi-467, në Greqi-27, në Bosnja e Hercegovinë 263, ndërsa në Bullgari 189.
The post Maqedoni: Mbi 10 mijë të infektuar me COVID-19, 4199 raste aktive appeared first on Telegrafi.