Maqedoni, korrupsioni në nivele të larta përmes tenderëve

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Të paktën 30 milionë euro janë keqpërdorur nga buxheti i shtetit, tregojnë të dhënat e hetimeve të Drejtorisë së Policisë Financiare në Maqedoninë e Veriut.

Drejtori i Drejtorisë së Policisë Financiare, Arafat Muharemi, bën të ditur për Radion Evropa e Lirë se pjesa më e madhe e rasteve që ndërlidhet me korrupsionin në nivele të larta, ka të bëjë me keqpërdorimin e tenderëve për furnizimet publike.

Ai thekson se pandemia e koronavirusit në masë të caktuar ka bllokuar dhe hetimet që ka iniciuar Policia Financiare, megjithëse bën të ditur se për vitin e kaluar janë dorëzuar më shumë se 70 parashtresa penale për sa i përket korrupsionit në nivele të larta.

“Është fakt se gjatë vitit 2019 kemi pas rezultate më të mëdha për sa i përket detektimit të dëmtimit të buxhetit të shtetit, gjë që nuk kemi arritur të kemi të njëjtin rezultat edhe gjatë vitit 2020, për shkak se kishim periudhën e pandemisë, një periudhë me shumë vështirësi në lidhje me hetimet. Kolegët tanë, hetuesit, janë përballur me shumë vështirësi gjatë vërtetimit të veprave penale në terren”.

Advertisement

“Megjithatë, të dhënat statistikore nga parashtresat e dorëzuara do të jenë diku mbi 70 fletëparaqitje penale të dorëzuara”, thekson Muharemi.

Ai ka apostrofuar hetimin ndaj ndërmarrjes publike “Pyjet e Maqedonisë”, rreth tenderit për furnizimin me palma.

Ndryshe, për lëndën Drejtoria e Policisë Financiare ka konstatuar se më shumë se gjysmë milion euro janë keqpërdorur nga arka e shtetit për sa i përket furnizimit me rreth 1 mijë palma, ndërkohë që vlera reale e tyre në kohën kur është bërë furnizimi nuk ka qenë më shumë se 100 mijë euro.

Nga Prokuroria nuk bëjnë të ditur se deri ku ka arritur hetimi për këtë lëndë.

Advertisement

Dragan Malinovski, ish-anëtar i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit thotë se keqpërdorimet më të mëdha të mjeteve nga arka e shtetit bëhen përmes furnizimeve publike për faktin se përmes tyre shpenzohet një pjesë shumë e madhe e mjeteve nga buxheti i shtetit.

“Me patjetër duhet të sanksionohen të gjithë ata, të cilët keqpërdorin mjetet e arkës së shtetit. Kur them sanksione, mendoj të kemi vendime të plotfuqishme nga ana e gjykatave si dhe të gjithë ata që kanë përfituar nga manipulimi i tenderëve të gjendet mënyrë që t’i kthejnë këto para – vetëm atëherë mund të flasim për shtet ligjor”, vlerëson Malinovski, duke theksuar se çdo iniciativë për hetime do të mbetet e kotë nëse nuk ka epilog gjyqësor.

Hulumtimi që ka realizuar Qendra për Komunikime Civile dhe Transparencë nxjerr në pah se gjatë realizimit të kontratave për furnizime publike organet shtetërore respektojnë vetëm gjysmën e kritereve të përcaktuara me ligj, përkatësish 55.2 për qind.

Në raportin e kësaj organizate për vitin 2020, theksohet se kriza e pandemisë së koronavirusit edhe më shumë ka nxjerrë në pah anomalitë që përcillen gjatë tenderimit për furnizime publike.

Advertisement

“Nuk u regjistruan rezultate në luftën kundër korrupsionit për sa i përket furnizimeve publike, ndërkohë që rreziku për korrupsion në këtë lëmi, në mënyrë plotësues është rritur për shkak të urgjencës për t’u furnizuar me mjete mbrojtëse nga virusi COVID-19 gjatë vitit 2020”, theksohet në raportin e Qendrës për Komunikime Civile dhe Transparencë. /REL/

The post Maqedoni, korrupsioni në nivele të larta përmes tenderëve appeared first on Telegrafi.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy