Shoqatat ekologjike kërkojnë që të bëhet një revizion i ligjit me të cilin Mali Sharr do të shpallet Park Kombëtar. Qëllimi është që përmes këtij revizioni të ndalohet ndërtimi i hidrocentraleve të vogla në pjesën që do të jetë e mbrojtur me ligj. Në versionin e tanishëm askund në ligj nuk qëndron se ndalohet ndërtimi i hidrocentraleve të vogla, çka jep dyshime se trendi i ndërtimeve të tyre mund të vazhdojë edhe më tej dhe të shkatërrohet tërësisht Mali Sharr.
Me ndërtimin e hidrocentraleve të deritanishëm pasojat janë të mëdha, pasi që kohëve të fundit ka patur shumë vërshime, është shkatërruar flora dhe fauna, por edhe shumë hapësira që kanë qenë karakteristike për Malin Sharr, tashmë nuk ekzistojnë dhe nuk mund të kthehen në gjendjen e mëparshme, thonë aktivistët.
“Në pjesën ku parashihet Mali Sharr të shpallet Park Kombëtar, sipas planifikimeve – duhet të ndërtohen rreth 40 hidrocentrale. Ne mendojmë se kjo është në kundërshtim me qëllimin që të mbrohet një rajon, duke patur parasysh ndikimin që kanë hidrocentralet e vogla ndaj vlerave të Malit Sharr, dhe kjo është dokumentuar në raportet dhe analizat që janë bërë nga ana e ekspertëve dhe që është theksuar në valorizimin për Malin Sharr dhe në bazë të kësaj është duke u punuar në këtë drejtim”, thotë Iskra Stojkovska, nga Organizata joqeveritare Front 21/42.
Ndërkohë që pritet që shumë shpejt Mali Sharr të shpallet Park Kombëtar, kurse qëllimi është që të mbrohet nga shkatërrimi tërë ajo pasuri natyrore, e cila viteve të fundit vetëm se ka filluar të dëmtohet pamëshirshëm. Janë ndërtuar me dhjetëra hidrocentrale të vogla në pjesë të ndryshme. Kjo ka bërë që në pesë vitet e fundit të shpeshtohen erozionet e dheut, por edhe vërshimet që kanë shkaktuar edhe dëme në njerëz dhe dëme materiale. Krahas kësaj, edhe pse investitorët kanë patur si obligim që pas ndërtimit të hidrocentraleve, të rikthehet gjendja e mëparshme e pjesës së dëmtuar, ku janë zhvilluar punimet, kurse një obligim tjetër është që të mos ndryshohen rrjedhat e lumenjve.
Pikërisht ky dëmtim nga ndërtimet e hidrocentraleve, zhdukja e biodiversitetit, largimi i shumë kafshëve të cilët më parë kanë qenë pjesë e Malit Sharr, si dhe prerja ilegale e drunjve në masë të madhe, ka bërë që këto shoqata të kërkojnë që shteti të vendos në mbrojtje të përkohshme Malin Sharr, që të mos vazhdohet edhe me tej me këtë shkatërrim.
Nga ana tjetër, krahas prerjes së druve, nëpër Malin Sharr hapen rrugë për depërtim me makineri të rëndë për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla që edhe më shumë e dëmton të njëjtin në shumë aspekte, sepse me këtë krijohen rrugë të reja që do të përdoren për prerje të mëtejshme të pakontrolluar.
Sipas të dhënave jozyrtare të Policisë Pyjore, në Malin e Thatë është vjedhur mbi 70 për qind e pyllit me dru kualitativ. Më shumë dru vidhet në rajonet e fshatrave të Malësisë së Sharrit, në Komunat e Tearcës dhe Zhelinës. Në disa pjesë të këtyre rajoneve është shkatërruar dhe prerë hapësirë e madhe e druve./Koha.mk/
The post Maqedoni: Kërkohet mbrojtje e përkohshme për Malin Sharr appeared first on Telegrafi.