Imunizimi në shtet kundër Kovid-19 zhvillohet në mënyrë të papenguar, pohojnë autoritetet dhe paralajmërojnë se deri të premten e ardhshme do të vaksinohen gjysmë milionë qytetarë. Që dje aktive është edhe ueb faqja për rivaksinimin e qytetarëve të cilët janë vaksinuar jashtë vendit ndërsa nesër do të bisedohet për masa të reja eventuale për mbrojtjen e kufirit, kundër përhapjes së variantit delta të virusit.
Komisioni për Sëmundje Infektuese të hënë do të duhet të vlerësojë nëse testet janë masë reale me të cilën do të mund të mbrohemi nga përhapja e variantit delta të koronavirusit, i cili tashmë është duke u përhapur nëpër Evropë dhe nëse ka nevojë për vendosjen e masave të reja lidhur me mbrojtjen e kufijve.
Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë është më së shumti e fokusuar në vaksinim ndërsa ministri Venko Filipçe pret deri të premten javën e ardhshme të vaksinohen rreth 500.000 qytetarë.
Ai potencoi se vaksinimi terrenor do të intensifikohet javën e ardhshme dhe do të kontribuohet që të vaksinohen banorët të cilët janë me sëmundje kronike dhe më pak të lëvizshëm ndërsa të cilët jetojnë në vende të largëta prej qyteteve të mëdha. Lidhur me vaksinimin e shtatzënave dhe grave gjidhënëse, qëndrimi i Komitetit profesional është se për to preferohet vaksina “Fajzer”.
“Nuk ka kontradita për asnjë vaksinë por i jepet përparësi vaksinës “Fajzer”, thotë Filipçe.
Sa i takon atyre qytetarëve të cilët janë vaksinuar jashtë vendit ndërsa dëshirojnë të rivaksinohen në shtet, ata mund të paraqiten në ueb faqen https://vakcinacija.mk/revaccination, e cila do të jetë në funksion deri më datën 10 të muajit.
Nga Ministria e Shëndetësisë theksojnë se përmes regjistrimit të qytetarëve, ata do të mund të marrin pasqyrë detajuese për çfarë numri bëhet fjalë, me cilat vaksina janë vaksinuar dhe kur duhet të rivaksinohen.
Me vaksinën “Astra Zeneka” në vend do të rivaksinohen vetëm qytetarët mbi 60 vjeç. Për të gjithë qytetarët e tjerë pas regjistrimit në faqe, nga Ministria e Shëndetësisë sqarojnë se do të bëjnë përpjekje të sigurohen sasi të mjaftueshme të vaksinave pas çka, siç thonë, do të informohen saktë në opinion.
Nga e hëna do të vaksinohen të punësuarit në shkollat fillore dhe të mesme në shtet, kumtoi sot Ministria e Shëndetësisë. Javën e ardhshme do të fillojë caktimi i terminëve për vaksinimin edhe të punësuarve në institucionet e larta arsimore.
“Në pikat e vaksinimit në shtet bashkë me ditën e djeshme janë vaksinuar gjithsej 358.686 qytetarë. Dozën e parë të vaksinës dje e kanë marrë 11.299 qytetarë, ndërsa dje gjithsej janë vaksinuar 13.732 qytetarë. Në shtet gjithsej janë aplikuar 586.537 doza të vaksinës, ndërsa janë rivaksinuar 227.851 qytetarë. Me numrat e fundit 53% e popullatës mbi 70 vjeç e kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës, 50% e popullatës mbi 65 vjeç janë vaksinuar me të paktën një dozë të vaksinës dhe 45% e popullatës mbi 60 vjeç është vaksinuar me të paktën një dozë të vaksinës”, qëndron në kumtesën e Ministrisë.
Në shtet vazhdon tempoja për numrin e zvogëluar të personave të infektuar nga Kovid-19. Në 24 orët e kaluara, janë regjistruar gjashtë raste të reja të Kovid-19 nga 3.028 teste të bëra, nga dy në Shkup, Manastir dhe Kërçovë. Nuk janë regjistruar persona të vdekur e as pacientë të shëruar.
Deri dje në vend janë bërë gjithsej 887.621 teste për Kovid-19. Numri i përgjithshëm i të diagnostikuarve me Kovid në vendin tonë që nga fillimi i epidemisë është 155.706, numri i pacientëve të shëruar është 150.067, i të vdekurve është 5.486, ndërsa numri i rasteve aktive është 153.
The post Maqedoni: Gjendja me Covid-19 stabile, nga e hëna vaksinohen të punësuarit në shkollat fillore dhe të mesme appeared first on Telegrafi.