Në Kuvend sot duhet të vazhdojë debati për propozim-buxhetin plotësues për vitin 2021. Kjo është dita e tretë. Debati në seancë plenare zgjat më së shumti pesë ditë pune, pas së cilës votohet sipas propozimit.
Në propozimin plotësues, që është para deputetëve, janë përmbajtur 18 amendamente të pranuara në debatin para Komisionit kuvendor amë për financim dhe buxhet.
Propozim-buxheti plotësues, sipas ministrit të Financave Fatmir Besimi, është real dhe në të janë alokuar mjetet atje ku do të japin efekt dhe rezultate më të mira.
“Edhe krahas rreziqeve të pranishme lidhur me krizën shëndetësore, ndërsa duke i marrë parasysh katër pakot e realizuara deri tani të masave ekonomike, me projeksionet në Buxhet për vitin 2021 pritet të sigurohet qëndrueshmëri e veprimtarive ekonomike vendore dhe vendeve të punës, të rimëkëmben veprimtari të caktuara, të sigurohet stabilitet i transfereve sociale dhe të sigurohen politika të cilat edhe më tutje do të ndihmojnë për zbatimin e strategjisë së shpejtë të daljes me qëllim të vazhdimit me trendet pozitive të ekonomisë së Maqedonisë”, theksoi Besimi.
Propozim-buxheti plotësues për opozitën nuk do t’i japë rezultatet e pritura. Nuk do të sjellë shëndetësi më të mirë, arsim më funksional, ndërtim të rrugëve dhe hekurudhave dhe realizim të projekteve me të cilat do të nxitet rritja ekonomike. Sipas opozitës, do të vazhdojnë edhe detyrimet dhe shpenzimet joproduktive.
Deputetët nga pushteti konsiderojnë se Buxheti është korrekt dhe duhet të sigurojë revitalizim të ekonomisë dhe kthim të shtegut të rritjes ekonomike, por nëse pandemia vazhdon, atëherë, sipas tyre, shifrat do të duhet të rishikohen.
The post Maqedoni: Dita e tretë e debatit në Kuvend për propozim-buxhetin plotësues për vitin 2021 appeared first on Telegrafi.