Pas paralajmërimit se Qeveria do të luftojë korrupsionin në mënyrë ofensive përmes një plani shtetëror, sot kryetarja e Antikorrupsionit Biljana Ivanovska për “Alsat” tha se ata nuk i dinë detajet e planit. Anëtarët e Komisionit Kundër Korrupsionit, si dhe i gjithë publiku, informacionet i kanë mësuar nga konferenca e djeshme për shtyp. Deri më tani, plani qeveritar për luftimin e korrupsionit në Maqedoni nuk i është dorëzuar Antikorrupsionit.
“Nuk e di se si e kanë bërë planin, por të gjitha vërejtjet tona,, gjetjet, iniciativat ia kemi dorëzuar Nikollovskit, kështu që mendoj se ka qenë njëfarë burimi dhe bazë për krijimin e masave në këtë plan, sepse ne nuk kemi qenë të përfshirë konkretisht në hartimin e këtij plani’ deklaroi Biljana Ivanovska kryetare e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesave.
Qëndrim kërkuam edhe nga DAP-i, nëse me rrjetëzimin e institucioneve do të jetë e mundur të shikohen llogaritë por edhe të vendosen sekretet tatimore të qytetarëve. Nga DAP-i na thanë se nuk e kanë parë planin e Qeverisë për luftën e korrupsionit dhe nuk e dinë se çfarë informacioni do të kenë për t’u dhënë anëtarëve të anti-korrupsionit.
“Pas përcaktimit se cilat të dhëna do të duhet të shkëmbehen për këtë qëllim, do të përcaktohet nevoja për të ndryshuar rregulloret ligjore”, thonë nga DAP.
Për realizimin efektiv të planit për luftën kundër korrupsionit, nevojitet rrjetëzimi i institucioneve, theksoi dje Zëvendëskryeministri Lupço Nikollovskit. Por cilët do të jenë institucionet që do të japin të dhënat dhe kush do të mund t’i kontrollojë për momentin nuk dihet. Në mënyrë që kjo të zbatohet, disa ligje do të duhet të ndryshohen. Përndryshe, sipas planit, do të vijojë digjitalizimi i prokurorisë, rritja e kompetencave të inspektorëve, procedura më të thjeshta për marrjen e dokumenteve personale të qytetarëve, konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme. Nga ana tjetër, opozitarja OBRM-PDUKM, reagoi se dyshja Zaev-Nikollovski nuk mund ta luftojnë korrupsionin sepse, siç thonë ata, janë burimi i korrupsionit në vend./Alsat/
The post Maqedoni: Antikorrupsioni s’ka dijeni për planin e shtetit kundër korrupsionit appeared first on Telegrafi.