Zgjedhjet parlamentare duhet të mbahen nga fundi i qershorit, më saktë më 21 qershor, ndërsa prolongimi i tyre për në vjeshtë do të ishte rrezik shumë i madh për shtetin, mendon kështu ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës dhe nënkryetar i LSDM-së, Damjan Mançevski.
“Qëndrimi ynë është i qartë lidhur me zgjedhjet. Nëse shikojmë nga aspekti ligjor, në momentin kur do të përfundojë gjendja e jashtëzakonshme duhet të vazhdojnë zgjedhjet atje ku kanë mbetur. Pyetja është se kur do të përfundojë gjendja e jashtëzakonshme dhe ne prandaj mendojmë se kemi hapësirë për të sjell vendim me konsensus. Prandaj duhet të ketë ende tentime për ta definuar datën. Presidenti Pendarovski është këtu në çdo kohë të organizojë edhe takim të liderëve nëse duhet. Fakt është se kemi qëndrime të ndryshme, por jam i bindur në kompromis sepse rreziku është shumë i madh, nëse i lëmë zgjedhjet për në vjeshtë, me të vërtetë rreziku është i madh që të shpërthejë valë e re e virusit. Do të hyjmë në fazë të re në të cilën ndoshta do të duhet të bëhen precentët kushtetues”, deklaroi Mançevski në emisionin e sontëm në televizionin 24.
Thotë se nëse ekziston harmonizim se duhet të ketë lehtësim të masave, atëherë është kontradiktore të flitet se nuk ka kushte për zgjedhje.
“Nëse shtetet fqinje i hapin kufijtë, nëse njerëzit kthehen në punë, hapen kopshtet, atëherë pse të mos ketë zgjedhje. Nëse tërë situatën në shtet e kthejmë në normalitet, atëherë pse të mos mund të bëjmë zgjedhje? VMRO-DPMNE-ja kërkon ulje të masave, ndërsa nuk dëshiron zgjedhje. Të mos e gënjejmë veten, në vjeshtë do të kemi raste të reja. Megjithatë, gjithçka është e lidhur me gjendjen jashtëzakonshme, deri kur do të zgjasë kjo… Kemi shembuj në rajon ku do të ketë zgjedhje gjatë muajit të ardhshëm”, shtoi Mançevski.