Kuvendi i Maqedonisë së Veriut me 66 vota ka miratuar ligjin për shpalljen e një pjese të Malit Sharr “Park Nacional”.
Ky vendim u cilësua si një nga vendimet për jetësimin e agjendës së gjelbër, nga kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.
Ai në një shkrim në Facebook, ka thënë se edhe ky premtim u realizua.
“Edhe ky premtim u realizua me votën e sotme në Kuvend të dashur miq. Agjenda e gjelbër është jetë më cilësore për të gjithë ne”, shkruan Ahmeti.
Kujtojmë se Mali Sharr është parku i katërt kombëtar në vend, pas Mavrovës, Pelisterit dhe Galiçicës, dhe i pari pas pavarësisë së vendit. Kjo hap mundësinë për mbrojtje të organizuar të mbi 60 mijë hektarëve, që përfshin 30 fshatra.
Për disa dekada mali po përballet me shpyllëzimet, gjuetinë e paligjshme dhe zgjerimin e ndërtimeve.
Lidhur me ndërtimin e hidrocentraleve rrjedhëse, ato që janë ndërtuar tashmë do të vazhdojnë të punojnë dhe shteti njoftoi se do të përpiqet të arrijë një marrëveshje me kompanitë që kanë filluar tashmë procedurë për të marrë leje për të njëjtin qëllim, që heqin dorë nga ai.
The post Mali Sharr park kombëtar, Ahmeti: Agjenda e gjelbër është jetë më cilësore për të gjithë ne appeared first on Telegrafi.