
Modeli progresiv dhe prestigjioz nga segmenti premium vendos standarde të reja në dizajn dhe aerodinamikë: me një koeficient të shkëlqyer të rezistencës prej vetëm 0.23.
I përkryer për vozitje të përditshme dhe udhëtime të gjata: teknologji të avancuara si pezullimi ajror adaptiv dhe drejtimi në të katër rrotat, si dhe izolim i shkëlqyeshëm i zërit.
Dinamike, komode, efikase: teknologjia MHEV plus me hibrid të lehtë mundëson vozitje pjesërisht elektrike dhe performanca të përmirësuara.
Audi e zgjëron gamën e vet të A6 me një sedan klasik biznesi që vendos standarde në dizajn dhe aerodinamikë, duke ofruar njëkohësisht inovacion dhe rehati që ndihen në çdo detaj. Me një koeficient të rezistencës prej 0.23, kjo është vlera më e mirë ndonjëherë për një model me motor me djegie të brendshme në historinë e Audi-t. Motorët modernë me benzinë dhe dizel, të pajisur me teknologjinë hibride të lehtë MHEV plus, ofrojnë efikasitet më të madh dhe performancë më të mirë. A6 Sedan ofron një përvojë të shkëlqyer për vozitje të përditshme dhe udhëtime të gjata: pezullimi ajror adaptiv dhe drejtimi në të katër rrotat krijojnë një ekuilibër të përkryer mes rehatisë dhe shkathtësisë.
Karroseria e A6 Sedan të ri është e qartë dhe funksionale. Dizajni karakteristik i Audi-t kombinon elegancën dhe shpirtin sportiv. Vija e sipërme e harkuar e dritareve i jep siluetës një karakter aerodinamik. Pjesa e përparme mbresëlënëse, me drita të holla dhe unazat karakteristike të Audi-t, është e theksuar nga grila e madhe Singleframe e pozicionuar ulët. Pas saj qëndron një sistem i rafinuar i qarkullimit të ajrit, me hapje anësore të optimizuara në formë dhe funksion, që kontribuojnë për aerodinamikë më të mirë dhe pamje të fuqishme.
Ashtu si pjesa e përparme, edhe pjesa e pasme – e zgjatur dhe lehtësisht e ngritur – rrezaton prestigj. Dy dritat e pasme me grafikë precize dhe linja e vazhdueshme e dritës e bëjnë A6 Sedan të duket fuqishëm.
Forma specifike e pjesës së pasme kontribuon ndjeshëm në vetitë aerodinamike të automjetit. Kthesa e mprehtë e kapakut të bagazhit dhe vija e thelluar para tij krijojnë rrjedhë optimale të ajrit. Së bashku me difuzorin e gjerë, kjo sjell një ekuilibër ideal mes ngritjes së boshtit të pasëm dhe rezistencës, duke përmirësuar dinamizmin gjatë vozitjes.
Me pezullimin ajror adaptiv opsional, A6 Sedan e përsos sintezën mes karakterit sportiv dhe rehatisë. Përveç rregullimit të lartësisë së karroserisë dhe amortizimit, ky sistem përmirëson edhe aerodinamikën: në regjimin normal, automjeti është 20 mm më i ulët se versioni standard, ndërsa në regjimin dinamik ulet edhe 10 mm të tjera – për ndjesi akoma më sportive. Në shpejtësi të larta, vetura përdor automatikisht nivelin më të ulët për të reduktuar rezistencën.
Drejtimi opsional në të katër rrotat ofron manovrim të shkathët dhe preciz. Në kombinim me drejtimin progresiv, sigurohet reagim shumë më i mirë gjatë drejtimit. Në shpejtësi të ulët, rrotat e pasme rrotullohen në drejtim të kundërt me ato të përparme, duke rritur manovrueshmërinë. Në shpejtësi të larta, të gjitha rrotat rrotullohen në të njëjtin drejtim për një drejtim më të qëndrueshëm dhe të saktë.
Motorët me teknologjinë hibride të lehtë MHEV plus luajnë rol kyç në përvojën e jashtëzakonshme të drejtimit. Përveç motorit 2.0 TDI me katër cilindra dhe 150 kW (204 HP), edhe motori 3.0 TFSI me gjashtë cilindra dhe 270 kW (367 HP) është i pajisur me këtë formë elektrifikimi të pjesshëm. Sistemi MHEV plus mbështet motorin me djegie të brendshme, përmirëson performancën dhe rehatinë dhe redukton emetimet e CO₂. Mundëson parkim dhe manovrim plotësisht elektrik, si dhe vozitje me energji elektrike në shpejtësi të ulët – në qytet, në trafik të dendur ose jashtë zonave urbane. Gjithashtu, kjo teknologji ofron moment rrotullimi të menjëhershëm deri në 230 Nm dhe fuqi shtesë prej 18 kW (24 HP) gjatë nisjes apo parakalimit. Gjatë ngadalësimit, rikuperohen deri në 25 kW energji.
Izolimi i zërit në pjesën e brendshme është përmirësuar me 30% në krahasim me modelin e mëparshëm, gjë që rrit ndjeshëm rehatinë gjatë vozitjes. Mbajtëset e reja të zhvilluara për motorin dhe ndërruesin sigurojnë një vozitje më të qetë.
Audi A6 Sedan i ri do të prodhohet në Neckarsulm dhe do të shitet në mbarë botën.
The post Maja e elegancës së biznesit: Audi A6 Sedan i ri appeared first on Telegrafi.