
LSDM e ka kritikuar marrëveshjen e Qeverisë për të shpenzuar 400.000 euro për realizimin e hulumtimeve për politikat e saj. Kjo ndodh në të njëjtën kohë kur qytetarët po dhurojnë për ata që kanë pësuar nga tragjedia në Koçan.
“Në kohën kur I gjithë shteti është në zi për humbjen e 59 jetëve në Koçan, kur po mblidhen donacione nga qytetarët dhe bizneset për të ndihmuar familjet e viktimave, Qeveria e Mickoskit dhe OBRM-PDUKM ka lidhur një marrëveshje prej 400.000 eurove për anketa. Në kohën e pikëllimit dhe dhimbjes së popullit, për pushtetin më të rëndësishme ishin anketat”, tha nënkryetarja e LSDM-së, Kristina Kostova.
Kostova theksoi se për Mickoskin prioritet ka rejtingu dhe jo fakti që nuk ka pajisje për zjarrfikësit dhe ekipe të mjaftueshme.
“Tenderi për hulumtimin e opinionit publik, i cili ka vlerën 400.000 euro, e fiton agjencia e tyre e preferuar ‘Market Vision’. Qytetarët po dhurojnë, ndërkohë që Qeveria shpenzon para për vetëpromovim. Përderisa punonjësit, mjekët dhe mësuesit marrin paga më të ulëta se ato që ishin premtuar, përderisa pensionistët mezi arrijnë të mbijetojnë, përderisa të rinjtë po largohen nga shteti – Qeveria ka para vetëm për matjen e popullaritetit dhe propagandë politike”, tha Kostova.
LSDM kërkon urgjentisht anulimin e tenderit për „software për ndikim në media“ dhe tenderit për anketa. Ato para, së bashku me 400.000 euro të parashikuara për anketa, duhet të jepen për ndihmën e familjeve dhe qytetarëve të Koçanit. “Tani është koha për solidaritet dhe përgjegjësi, dhe jo për matjen e rejtingjeve dhe propaganda”, deklaroi Kostova.
The post LSDM: Qeveria t’i anulojë tenderët e anketave, paratë të destinohen për Koçanin appeared first on Telegrafi.