Derisa ministri e Shëndetësisë, Arben Taravari shëtit nëpër SHBA duke postuar foto me tabela, pacientët në Klinikën e Radioterapisë dhe Onkologjisë kanë mbetur pa terapi biologjike, akuzojnë sot nga LSDM.
“Kjo është e papranueshme dhe është dëshmi e mëtejshme e paaftësisë së qeverisë Mickoski dhe ministrit Taravari për t’u marrë me nevojat elementare të qytetarëve dhe të sistemit shëndetësor.
Mungesa e barnave si “atezolizumab”, “bevacizumab”, “palbociclib”, “ribociclib” dhe të tjera është një problem alarmant. Këto janë barna që fjalë për fjalë do të thotë jetë për pacientët me kancer metastatik.
Në vend të përgjegjësisë dhe furnizimit në kohë, ne shohim vetëm justifikime dhe pengesa administrative që thellojnë krizën.
A ka të paktën pak përgjegjësi kjo qeveri që shpenzon paratë publike për mobilie, makina e luks, ndaj qytetarëve që rrezikojnë shëndetin dhe jetën?
Në vend që të sigurojë financim dhe planifikim në kohë për prokurimet, qeveria po lejon mungesat e barnave thelbësore dhe po i lë pacientët në mëshirë të situatës”, thonë nga LSDM.
LSDM kërkon masa urgjente për të siguruar terapinë e nevojshme për të gjithë pacientët./Telegrafi/
The post LSDM: Derisa Taravari po shëtitet në SHBA, në shëndetësi po ndodh kaos, nuk ka terapi biologjike appeared first on Telegrafi.