Muajt e verës të këtij viti në Dibër karakterizohen me ditë të nxehta dhe të thata, gjë që ka shkaktuar ulje drastike të nivelit të Liqenit të Dibrës. Prurjet e lumenjve dhe përroskave në Dibër dhe në rajon janë përgjysmuar, ndërsa Liqeni i Dibrës është përgjysmuar.
Kësaj katastrofe ekologjike po i ndihmon edhe prodhimtaria e shtuar e rrymës elektrike në Hidrocentralin “Spilje”, gjë që ka bërë që niveli i liqenit dukshëm të bie. Kjo situatë, përveç fshatrat për rreth liqenit, ka shqetësuar edhe pushuesit në bregun e liqenit. Niveli i liqenit të Dibrës aktualisht ka një ulje prej mbi 40 metra, gjë që ka shkaktuar një vazhdimësi të problemeve me florën dhe faunën, meqë edhe gjatë muajve të pranverës, kishte ulje drastike të nivelit. Uji është tërhequr shumë metra dhe plazhistët dibran, por edhe të huaj, tani kanë problem me freskimin e tyre në bregun e liqenit. Ata thonë se tërheqja e ujit ka pamundësuar një siguri të plazhistëve, edhe pse në bregun e liqenit janë vendosur edhe shpëtimtarët.
Të rinjtë dibran, të cilët janë më të pranishëm në bregun e liqenit, thonë se ulja e nivelit të ujit ka dezorientuar plazhistët meqë tërheqja e ujit është aq e madhe sa nuk janë në funksion edhe pjesët e përgatitura për plazh.
Agimi, Flora, Bedriu dhe shoqëria e tyre tregojnë se javën e fundit ka një ulje drastike të nivelit të liqenit. Këtu mund të gjenden edhe plazhistë nga viset kufitare të Shqipërisë, të cilët po ashtu reagojnë në lidhje me situatën në liqenin e Dibrës. Vendosja e shezlonëve në pjesën e plazhit për shkak të tërheqjes së ujit nuk mundëson shfrytëzimin e tyre meqë ata janë në vendin ku ka qenë niveli i ujit më parë. Shqetësime kanë edhe pronarët e objekteve shërbyese, të cilët nuk janë të pakët në pjesën e plazhit në bregun e Liqenit të Dibrës.
Pronarët e kafeterive dhe restoranteve thonë se kanë nis të humbin klientë meqë uji tani më është tërhequr shumë dhe në orët e mbrëmjes, prezenca e klientëve ka mbetur pa bukuritë që sjell uji në afërsi. Ata thonë se koncesioneri i liqenit, por edhe hidrocentrali “Spilje” duhet të jenë korrekt me minimumin e liqenit, e para për shkak të mbrojtjes së florës dhe faunës, por edhe për shkak të sigurisë që duhet të kenë plazhistët gjatë sezonit veror kur liqeni përdoret për freskim.
Të shqetësuar janë edhe dibranët në përgjithësi. Problemi i minimumit të Liqenit të Dibrës tanimë përsëritet disa vite dhe kuota e garantuar me Ligj nuk respektohet nga hidrocentrali “Spilje” . Para dy muajve pati një rënie drastike të nivelit të ujit në liqenin e Dibrës. Reagimi ishte i fuqishëm si nga pushteti vendor, ashtu edhe nga koncesioneri i liqenit – shoqata e peshkatarëve sportiv “Trofta”. Pastaj vijoi një periudhë e ndërprerjes së prodhimtarisë të rrymës elektrike nga hidrocentrali “Spilje” dhe liqeni erdhi në kuotën normale. Tani sërish problemet me minimumin e nivelit të liqenit janë preznet.
Institucionet e pranojnë se ka rënie drastike të nivelit të ujit, megjithëse fajin ia lënë prurjeve të vogla të ujit në Liqenin e Dibrës nga lumenjtë Radika dhe Drini i Zi, si dhe nga përroskat që derdhen në liqen e që vijnë nga Komuna Qendër Zhupë. “Oscilimet e nivelit të liqenit duhet të merren seriozisht meqë pasojat janë në të gjithë sferat”, thonë përfaqësuesit e shoqatave ekologjike në Dibër. (koha.mk)
The post Liqeni i Dibrës vazhdon të shkatërrohet appeared first on Telegrafi.