Ministria e Drejtësisë merr më shumë kohë se sa pritej për të bërë ndryshimet teknike në draftin e propozim-ligjit për regjistrimin e popullsisë për vitin 2021. Nga ky dikaster nuk përgjigjen në pyetjen se kur drafti do të dorëzohet në Qeveri për miratim dhe kur Qeveria pritet ta dorëzojë në Kuvend.
“Nga Ministria e Drejtësisë sqarojnë se do të mbetet i njëjti version i propozim ligjit i cili më herët ishte në procedurë parlamentare. Thonë se do të ketë vetëm disa ndryshime sa u takon afateve kur duhet të zbatohet regjistrimi i popullsisë në vitin 2021”.
Që drafti i propozimi-ligjit nuk do të pësojë ndryshime thelbësore, përveç afateve kohore kur duhet të realizohet regjistrimi, kishin deklaruar edhe nga Enti Shtetëror i Statistikës. Opozita shqiptare thotë se çështjet kontestuese në ligj do t’i trajtojë nëpërmjet amendamenteve në Kuvend. Ata kërkojnë komisionerë shqiptarë në trupat që do të realizojnë këtë proces.
“Ne konsiderojmë se duhet të përshpejtohet procesi i regjistrimit të popullsisë që i bie se ligji duhet sa më shpejt të vijë në procedurë parlamentare. Gjithsesi ne do të kemi amendamentet tona. Do të diskutojmë rreth pikave ku mendojmë që përveç zbatimit të rregullativës ekonomike, sociale apo migrimit qytetit-fshat, t’i japim rëndësi të posaçme edhe regjistrimit të përkatësisë kombëtare pasi keqpërdorimet më të mëdha janë bërë në këtë pikë. Konsiderojmë që duhet të ketë përfaqësues shqiptarë në të gjitha vendbanimet”, deklaroi Skender Rexhepi, Koalicioni ASH-AAA.
OBRM-PDUKM-ja nuk tregon nëse do ta mbështesë ligjin këtë herë, por kujton se regjistrimi është çështje statistikore dhe jo politike.
Edhe LSDM-ja deklaron se është e interesuar për miratimin e shpejtë të ligjit për regjistrim.
“LSDM-ja e pranon realizimin e regjistrimit sepse vlerësojmë se ai është shumë i rëndësishme për më shumë aspekte për vendin tonë. Enti Shtetëror i Statistikës tashmë përgatitet edhe teknikisht që gjithçka të jetë siç duhet dhe presim që së shpejti edhe në Kuvend kjo temë të shqyrtohet. Presim që në proces transparent këtë ta pranojnë edhe aktorët tjerë në Kuvend”, pohoi Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM-së.
Regjistrimi parashihet të bëhet në prill të vitit 2021 sipas parimit “vendbanim i përhershëm”. Do të përfshijë të gjithë personat që jetojnë në shtet dhe të huajt që janë këtu për më gjatë se një vit. Shtetasit që jetojnë jashtë vendit do të mund të regjistrohen nëpërmjet formës elektronike. Procesi do të monitorohet nga përfaqësues të EUROSTAT-it. Për regjistrimin në terren parashihet të angazhohen mbi 2600 persona kurse regjistrimin do ta bëjnë direkt në formularë elektronik, i qasshëm në të 7 gjuhët e komuniteteve në vend.
Regjistrimi i fundit në vend është bërë në vitin 2002. Procesi i filluar në vitin 2011 dështoi kurse partitë nuk gjetën gjuhë të përbashkët as për ta miratuar ligjin për regjistrim në vitin 2019. Statistikat e kësaj natyre janë të domosdoshme për hapjen e disa kapitujve gjatë negociatave me BE-në.
The post Ligji për regjistrim e popullsisë në Maqedoni, në labirintet e drejtësisë appeared first on Telegrafi.