Ligji për “branitellat” është sërish pengesë për punën e Komisionit për Politikë Sociale në Kuvend, pasi që kryetarja e komisionit Ilire Dauti e thirri seancën, por puna ngeci pasi deputetja e LSDM-së Jovana Trençevska sërish kërkoi që kjo zgjidhje ligjore të futet në rend dite.
Debati filloi, por pas një kohe të shkurtër u ndërpre pasi Ilire Dauti nuk deshi ta votojë propozimin e Trençevskës dhe i thirri deputetët për koordinim në kabinetin e saj.
Ndonëse pas koordinimit seanca e komisionit vazhdoi, megjithatë me kërkesë të deputetëve të “VLEN-it” ajo u ndërpre sërish, pasi propozimin e ligjit për “branitellat” e panë si provokim dhe kërcënuan se nëse do të gjendej ky ligj në rendin e ditës, ata do të përdorin të gjitha burimet e rregullores për të bllokuar punën e komisionit.
Ndryshe nga seanca e kaluar e komisionit, kur kërkuan që kryetarja ta vendosë ligjin në rend dite, deputetët e OBRM-PDUKM-së sot ishin më të qetë. Ligji për të drejtat e veçanta të “branitellave”, edhe pse është futur në procedurë, nuk është gjetur vendosur në rend dite në Komisionin për Punë Sociale.
Puna e komisionit do të mbetet në “status quo” deri në krijimin e kushteve për miratimin e raporteve që sot ndodheshin në rend dite. LSDM-ja propozim-Ligjin për “branitellat” e dorëzoi në Kuvend në fillim të muajit shtator. I njëjti u kundërshtua nga partitë shqiptare të cilat kërkuan që bashkërisht me statusin e branitellave të rregullohet edhe statusi i ish ushtarëve të UÇK-së.
Opozita maqedonase kërkoi që kreu i Kuvendit, Afrim Gashi në bazë të Rregullores të thërrasë mbledhjen e komisionit, por Gashi tha se ai mund të thërret mbledhjen e trupit punues në bazë të rëndit të ditës dhe jo të thërret mbledhjen për ta plotësuar rendin e ditës. Për veprimet Gashit, partia E Majta ka dorëzuar padi penale./Telegrafi/
The post Ligji për “branitellat” nuk kalon sërish, VLEN dhe Fronti Europian kërkojnë të përfshihen edhe ish-ushtarët e UÇK-së appeared first on Telegrafi.