Kuvendi i Republikës së Maqedonisë e pranoi propozimin e deputetëve të OBRM-PDUKM-së për formimin e komisionit anketues për rastin e keqpërdorimit të terapisë në Klinikën për Onkologji dhe Radioterapi në Shkup.
20 deputetë të koalicionit OBRM-PDUKM kanë dorëzuar sot propozimin e nënshkruar për themelimin e komisionit hetimor parlamentar për skandalin në Klinikën Radioterapi dhe Onkologji. Kuvendi e pranoi propozimin për përcaktimin e përgjegjësisë politike dhe përgjegjësive tjera.
Komisioni anketues do të përbëhet nga gjashtë deputetë të OBRM-PDUKM-së, pesë të LSDM-së, dy të BDI-së dhe një të Aleancës për Shqiptarët. Komisioni do të përcaktojë kronologjinë e ngjarjeve dhe rrethanave dhe nëse janë shkelur të drejtat e pacientëve të trajtuar në këtë klinikë.
Komisioni do t’i raportojë gjetjet e tij Qeverisë, Prokurorisë Publike dhe Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit. Çdo dëshmitar apo ekspert që do të thirret nga Komisioni ka detyrimin të paraqesë njohuritë e tij dhe nëse mendon kështu mund të kërkojë një seancë të mbyllur.
Komisioni do të duhet të paraqesë një raport përfundimtar në Kuvend jo më vonë se një muaj pas përfundimit të punës.
Kuvendi vendosi të formojë komision hetimor, pasi Prokuroria Publike ka hapur hetime për pretendimet se disa punonjës të Klinikës e kanë rishitur terapinë në vend që t’ua japin pacientëve./Telegrafi/
The post Kuvendi i RMV-së vendosi të krijojë komision hetimor për rastin e Klinikës së Onkologjisë appeared first on Telegrafi.