Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut këtë mëngjes bëri të ditur se më 18 janar një delegacion i nivelit të lartë nga Republika e Bullgarisë i kryesuar nga kryeministri Kiril Petkov do të vizitojnë Maqedoninë e Veriut.
Kryeministri bullgar do të shoqërohet nga Ministrja e Punëve të Jashtme, Teodora Gençovska, si dhe Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Nikolai Sabev.
Siç informojnë nga MPJ vizita është planifikuar të realizohet menjëherë pas hyrjes në funksion të Qeverisë së re të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me çka të dyja vendet dëshmojnë rëndësinë që i kushtojnë marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të ndërsjellë. Në takimet në fjalë pritet të rikonfirmohen rezultatet e deritanishme dhe progresi i arritur, si dhe të vendoset një komunikim shtesë intensiv për tejkalimin e mosmarrëveshjeve për çështje të rëndësishme bilaterale.
Bisedimet do të fokusohen në zbatimin e vazhdueshëm të Marrëveshjes për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim të nënshkruar mes dy vendeve në gusht 2017, si dhe vazhdimin e përpjekjeve për sigurimin e mbështetjes për fillimin e negociatave ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian.
The post Kryeministri bullgar Kiril Petkov më 18 janar për vizitë në Shkup appeared first on Telegrafi.