Krishterët ortodoksë sot e kremtojnë festën e madhe Krishtlindjet. Sot në mëngjes në të gjitha tempujt e kishës ortodokse u mbajtën liturgji ku morën pjesë shumë qytetarë. Ata mes vete u përshëndeten me fjalinë “Krishti u lind, Gëzuar Krishtlindjet”.
Në liturgjinë e sotme mori pjesë edhe kreu shtetëror. Presidentja Gordana Siljanovska Davkova e uroi festën duke thënë se për krishterët kjo dita më e madhe.
“Krishti u lind. Unë thashë, kjo është dita mbi të gjitha ditët për krishterët. Shpresoj se, siç theksoi edhe kryepeshkopi, se kjo do të thotë se e dimë se ylli i Betlehemit na udhëheq dhe se brenda nesh do të lindë diçka më e mirë”, tha Gordana Siljanovska Davkova – presidente e RMV.
Urime për Krishtlindjet dërgoi edhe kryeministri Hristijan Mickoski.
“Krishti u lind, me të vërtetë u lind, kjo është dita e madhe për krishterët ortodoksë, të gjithë qytetarëve të Maqedonisë sonë u uroj para se gjithash shëndet, sepse shëndeti është më i rëndësishëm, pastaj ua uroj të gjitha të mirat në shtëpitë e tyre. Pres një vit brenda të cilit do të kemi progres në çdo plan”, theksoi kryeministri i vendit Hristijan Mickoski.
Në emër të Kuvendit, kryeparlamentari Afrim Gashi uroi që festa të sjellë paqe dhe harmoni.
“Kjo ditë është mundësi që të theksohet rëndësia e vlerave që na bashkojnë si shoqëri: toleranca, solidariteti dhe respekti i ndërsjellë. Uroj që kjo festë të sjellë paqe, harmoni dhe gëzim në zemrat dhe familjet tuaja. Ky vit qoftë i plotësuar me suksese, bereqet dhe shëndet për të gjithë ju”, potencoi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
Kryetari i opozitares LSDM, Venko Filipçe uroi ditë të qeta festive.
“Me urimin tradicional Paqe nga Zoti, Krishti u lind, e uroj festën më të madhe ortodokse, Krishtlindjet, të gjithë qytetareve dhe qytetarëve që festojnë sot. Uroj ditë të qeta festive, sipas traditës, me familjen, miqtë dhe të afërmit”, u shpreh Venko Filipçe – kryetar i LSDM-së.
Urime për festën e madhe Krishtlindjet dërguan edhe liderët e partive politike dhe shoqata.
The post Krerët e shtetit dhe partitë politike me urime për besimtarët ortodoksë appeared first on Telegrafi.