Kryeministri i RMV-së, Dimitar Kovaçevski ka komentuar sot vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit për të vendosur në listën e zezë kryetarin e Komunës së Strugës, Ramiz Merko, për shkak të akuzave për korrupsion të madh dhe ndërhyrje në proceset gjyqësore në vend.
“E lexova njoftimin dhe mund të nxjerr një mesazh se SHBA-ja është partneri ynë më i madh strategjik dhe do të ndihmojë në luftimin e korrupsionit dhe vendosjen e shtetit ligjor. Pretendimet për futjen në listën e zezë të kryetarit të Strugës dhe familjes së tij janë të rënda dhe mesazhi është që institucionet tona kompetente, organet hetimore dhe gjyqësore të hetojnë akuzat e njoftuara nga Departamentit të Shtetit. Ata gjithashtu duhet të pyesin se si e ka marrë SHBA-ja një informacion i tillë, ndërsa gjenden disa mijëra kilometra larg këtu”, tha Kovaçevski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit në manifestimin me rastin e ndarjes së banesave sociale për familjet në Vinicë.
Kryeministri shton se ky vendim i SHBA-së konfirmoi edhe një herë se “sistemi ynë gjyqësor ka nevojë për një rishikim dhe kjo nxjerr në pah edhe një herë nevojën e integrimit në BE, që do të çojë në rritjen e sundimit të demokracisë dhe sundimit të ligj”./Telegrafi/
The post Kovaçevski: Përfshirja e Merkos në listën e zezë të SHBA-së është mesazh i rëndë për vendin appeared first on Telegrafi.