Kompanitë në Maqedoni përballen me vështirësi për shlyerjen e kredive

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Shumë kompani vendore në Maqedoninë e Veriut, vazhdojnë t’i ndiejnë pasojat nga pandemia e koronavirusit, që u shkaktoi humbje të mëdha në bizneset e tyre, për çka janë detyruar të kërkojnë ndihmën e qeverisë përmes masave të ndryshme stimuluese.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës, gjatë vitit të kaluar 6,214 kompani kanë shuar aktivitetin e tyre duke i lënë pa punë 17,026 persona, ose mesatarisht nga rreth 1,400 në muaj. Por, të dhënat jozyrtare thonë se numri i të papunëve arrin deri në 40 mijë persona.

Trim Capa, është menaxher i Banjave termale të Dibrës me rreth 200 të punësuar. Ai thotë se kompania po përballet me humbje të mëdha, edhe pse ka arritur që t’i shlyejë detyrimet ndaj punëtorëve me fondet rezervë.

“Si pasojë e pandemisë me COVID-19, kompania jonë ka pasur rënie prej më shumë se 70 për qind të të hyrave në vitin 2020 në krahasim me një vit më parë. Situata vazhdon të jetë e rëndë, punojmë me kapacitet të ulët duke shfrytëzuar mes 10 dhe 15 për qind të kapaciteteve, ndërsa punëtorët vazhdojnë të qëndrojnë nëpër shtëpi në pritje të stabilizimit të situatës”, thotë Capa.

Advertisement

Kjo kompani ka shfrytëzuar ndihmën e qeverisë për pagat e punëtorëve, por edhe kreditë e aprovuara për një “grejs” periudhë prej një viti, por për shkak të humbjeve të mëdha, ajo tani përballet me vështirësi për kthimin e kredisë si dhe pagesën e kamatës.

“Kreditë, të cilat i kemi marrë, kanë pasur një grejs-periudhë të pagesës prej një viti. Duke marrë parasysh se këto kredi ne i morëm në mars dhe prill të vitit të kaluar dhe shumë shpejt ne do të duhet të nisim t’i kthejmë, por për momentin ne jemi të pafuqishëm që t’i përballojmë apo të marrim kredi të reja. Vlerësojmë se forma e kreditimit duhet të kalojë në masa konkrete nga qeveria, të cilat do të jenë të përshtatura për sektorin e hotelerisë dhe restoranteve”, thotë Trim Capa.

Humbja e vendeve të punës për shkak të krizës së pandemisë, ka detyruar shumë persona që të aplikojnë për kredi apo në programet e vetëpunësimit të qeverisë. Për hapje të ndonjë biznesi qeveria deri tani ka ndarë rreth 30 milionë euro, me të cilat janë regjistruar rreth 4 mijë subjekte juridike ku janë punësuar më shumë se 5 mijë persona.

Një prej tyre është Goran Boshkovski, i cili përmes këtij projekti në Shkup ka hapur ashtuquajturën “Dhomë anti-stres”. Të interesuarit së pari rezervojnë një takim, vendosin pajisje mbrojtëse para se të hyjnë në dhomë dhe pastaj fillojnë të thyejnë sende të ndryshme (shumica e tyre me mundësi riciklimi). Në atë mënyrë, shpjegon Boshkovski, ata heqin stresin e akumuluar.

Advertisement

“Kam marrë një grant prej 4 mijë eurosh, gjithashtu kam investuar diçka që e kisha kursyer plus, në mënyrë që të gjitha procedurat për regjistrimin e kompanisë të mund t’i përfundoja me kohë. Tani për tani, gjithçka është në rregull dhe ndërsa ne punojmë dhe fondet hyjnë, ne do të investojmë gjithnjë e më shumë fonde në biznes”, tregon Boshkovski.

Qeveria, ndërkohë, ka hartuar pakon e pestë të masave ekonomike në vlerë mes 50 dhe 60 milionë euro për kompanitë. Për dallim nga më parë, ato tani nuk do të marrin fonde për pagat e punëtorëve, por do të mund të aplikojnë për kredi pa interes në Bankën e Zhvillimit.

“Masat e mëhershme kishin për qëllim kompensimin e humbjeve të ndërmarrjeve dhe ofrimin e mbështetjes financiare për të mbijetuar në kohën e krizës më të madhe. Ndërkohë, që pakoja e radhës më shumë ka të bëjë me rimëkëmbjen e ekonomisë. Kompanitë që do të kenë probleme me pagat e punëtorëve do të mund të aplikojnë në Bankën e Zhvillimit, të marrin një kredi pa interes, kurse ato kompani që do të tregojnë rezultate, sipas kritereve që do të përcaktohen, do të mund të marrin një grant shtesë së bashku me kredinë ”, ka deklaruar zëvendësministri i financave, Dimitar Kovaçevski.

Qeveria beson se stabilizimi i ekonomisë së dëmtuar për shkak të pandemisë do të fillojë të rimëkëmbet në tremujorin e dytë, ndërkohë që sipas projektimeve këtë vit ekonomia e Maqedonisë së Veriut pritet të përfundojë me humbje prej minus 4.4 për qind të Prodhimit Bruto Vendor./REL/

Advertisement

The post Kompanitë në Maqedoni përballen me vështirësi për shlyerjen e kredive appeared first on Telegrafi.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy