Po afrohet fillimi i vitit shkollor, i cili për shkak të korona krizës do të fillojë më 1 tetor, ndërsa Komisioni për Sëmundje Infektive dje dhe sot e shqyrton mundësinë për vendosje të mësimit tërëditor në shkollat fillore, duke e marrë parasysh mësimin me prani fizike, e cila është parashikuar për fëmijët deri në klasën e tretë do të shkurtohet.
Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe dje theksoi se është bërë analizë për numrin e fëmijëve të cilët duhet të mbesin në shkollë edhe pas përfundimit të orëve në turne.
“Do të merret mendim pozitiv njëjtë sikur merret vendim edhe për përjashtime më të gjitha shkollat e tjera, gjegjësisht nëse numri i fëmijëve është aq i vogël që nuk e rrezikon sigurinë e tyre, gjegjësisht të mos ketë rrezik epidemiologjik shtesë që një grup i caktuar i fëmijëve do të mbetet edhe pas mbarimit të turnit. Përparësi mbetet se është i njëjti grup i fëmijëve, kështu që kontaktet nuk rriten, ata kanë qenë në kontakt më parë, tani rritet vetëm koha e qëndrimit”, shpjegoi Filipce.
Kryeministri Zoran Zaev dhe ministrja e Arsimit Milla Carovska të premten e prezantuan platformën e parë kombëtare onlajn përmes së cilës do të zhvillohet viti i ri shkollor. Vijon periudha e përshtatjes së kuadrit mësimor, nxënësve dhe prindërve. Mjeti i ri, sipas kompetentëve, duhet të jetë resurs i rëndësishëm edhe pas tejkalimit të krizës me koronavirusin.
Platforma, sipas kompetentëve, është e thjeshtë për shfrytëzim dhe ofron mësim në pesë gjuhë. Nxënësi përmes kompjuterit ose telefonit do të mund të shikojë klasën dhe mësuesin dhe do mund të përdorë të gjitha materialet audio dhe video të vendosura në platformë dhe të bëjë detyra shtëpie, dhe mësimi nuk do të jetë i bezdisshëm dhe do të ketë kuize të shpejta, teste dhe përmbajtje të tjera inovative.
Carovska të premten potencoi se për 40.000 nxënës që nuk kanë IT pajisje për ta ndjekur mësimin përmes platformës kombëtare për mësim nga distanca, orët që do t’i mbajnë mësimdhënësit do të incizohen dhe pastaj do të transmetohen në kohë të caktuar në televizionin nacional, ndërsa dje Ministria e Arsimit doli me plan më detajor.
Qëllimi është, siç thonë nga MASH, fëmijët të cilët nuk kanë pajisje për ndjekje të mësimit onlajn gjatë Kovid-19 të marrin mundësi për mësim sikur edhe fëmijët tjerë.
“Për këtë qëllim, fëmija ka mundësi që mësimin ta ndjekë me prezencë fizike në orët në klasa, derisa mësimdhënësit u ligjërojnë fëmijëve të tjerë përmes platformës onlajn. Gjithashtu, për fëmijët, prindërit e të cilëve janë prononcuar se nuk duan t’i lëshojnë në shkollë me prezencë fizike, ndërsa nuk kanë pajisje, në Plan është paraparë opsion të marrin materiale të shtypura. Këto materiale do t’u dorëzohen prindërve nga ana e mësimdhënësve sipas të gjitha masave dhe protokolleve për mbrojtje nga Kovid-19. Që të mundet çdo fëmijë të ketë qasje deri te materiali mësimor, MASH-i është në negociata që përmes videos 15 minutëshe në orë të caktuar të emetohen në Servisin kombëtar në kanale të veçanta të cilat janë siguruar”, kumtuan nga MASH-i.
Mësimdhënësit do të kenë obligim të komunikojnë rregullisht me fëmijët dhe familjet e tyre dhe të ndjekin sa përparojnë në mësim.
Qëllimi prioritar dhe më i rëndësishëm, thonë nga MASH-i, është të sigurohet qasje deri te mësimi për çdo vajzë dhe djalë në shtet, pa dallim ku jetën.
“Qëllimi ynë primar është të krijojmë arsim të arritshëm për secilin dhe sistem arsimor i cili do t’i vendosë themelet për zhvillim të brezave të ardhshëm të cilët do të jenë forca lëvizëse dhe mendja e shtetit”, theksohet në kumtesën e Ministrisë.
MASH dje përpunoi video në të cilën janë treguar protokollet ndaj të cilave do të duhet të përmbahen nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit me kthimin e fëmijëve në klasat nga një tetori i këtij viti.
Sipas protokolleve çdo fëmije do t’i matet temperatura gjatë hyrjes në shkollë, ndërsa fëmijët do të duhet të mbajnë distancë të paktën 1,5 metra dhe të mbajnë maska gjatë të gjithë qëndrimit në shkollë, përveç gjatë pushimit dhe aktiviteteve në ambient të hapur. është paraparë edhe larja e duarve më shpesh dhe ajrosjen e klasave.
“Mbrojtja e përhapja e Kovid-19 është përgjegjësi e përbashkët e prindërve, mësimdhënësve, nxënësve dhe të personelit tjetër, gjegjësisht të të gjithë neve. Vetëm duke u përmbajtur protokolleve të gjithë së bashku do të kontribuojmë ta mbrojmë veten, të afërmit tanë dhe të gjithë shëndetin publik”, theksojnë nga MASH-i.
The post Komisioni vendos për zhvillimin e procesit arsimor në Maqedoni appeared first on Telegrafi.