Me pesë vota “kundër” dhe katër “për” sot në Komisionin për Rregulloren e Punës dhe Çështjet e Imunitetit Mandatar nuk u pranua propozimi i opozitës maqedonase OBRM-PDUKM, për të diskutuar për shkeljen eventuale të Kodit Etik nga deputeti Talat Xhaferi, njëherazi edhe kryetar i Kuvendit të Maqedonisë.
Pasi kryetari i Komisionit Panço Minov e lexoi propozimin e rendit të ditës, pesë deputetë të qeverisë votuan kundër rendit të ditës, ndërsa katër deputetë të opozitës ishin për të diskutuar propozimin.
Minov konstatoi se rendi i ditës nuk u pranua dhe seancën e mbylli.
Raporti u paraqit nga deputetët Dafina Stojanoska, Antonio Milloshoski, Eli Panova, Rashela Mizrahi, Aleksandar Nikolloski, Dayanco Eftimov, Aleksandar Veljanovski, Beti Stamenoska Trajkoska, Dragan Kovaçki, Toni Jarevski, Lidija Petkoska, Bojan Stojanoski, Velika Stojkova Serafimovska, Daniella Hristova, Ivanka Vasilevska, Bllagica Lasovska dhe Ljupço Prenzhov, pas publikimit të një regjistrimi në të cilin Xhaferi dëgjohet duke iu drejtuar me ton të lartë punonjësve të shërbimeve parlamentare.
Kryeparlamentari Talat Xhaferi në konferencën e fundit për media tha se nuk ndjen përgjegjësi t’u kërkojë falje zyrtarëve parlamentar të cilëve u ka drejtuar fjalë më të rënda.
Ai nuk konsideron se ka shkelur Kodin e Etikës dhe thotë se për këtë çështje ka një procedurë që po vazhdon në organet e Kuvendit.
The post Komisioni Parlamentar mbylli seancën, nuk u pranua ankesa e OBRM-PDUKM-së ndaj kryeparlamentarit Xhaferi appeared first on Telegrafi.