Moti i ngrohtë në ditët e fundit ka shkrirë me shpejtësi pjesën më të madhe të borës në Kodrën e Diellit, por në vend të kullosave të gjelbër, dolën në dritë të gjitha mbeturinat që shumë vizitorë hodhën gjatë gjithë dimrit dhe askush nuk i pastroi ato.
Mbetjet e ushqimit, ambalazhet, shishet plastike dhe qelqi, letra dhe çdo mbeturinë tjetër përmbytën mjediset e kësaj qendre turistike dimërore, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Por, edhe më keq se kjo është se deri më tani askush nuk po ndërmerr veprime për pastrimin e mbeturinave, as NPK-Tetovë dhe as autoritetet nga ski-qendra Kodra e Diellit. Disa ankohen se nuk kanë makineri të mjaftueshme, të tjerë njoftojnë se do të pastrohen shpejt kur të shkrihet bora.
Për këtë gjithashtu reagojnë edhe Vizitorët e Kodrës së Diellit, të cilët kalojnë pushimet këtu.
“Kodra e Diellit po dështon dita ditës, pa asnjë shans për prosperitet dhe përparim. Vetëqeverisja lokale e ka harruar plotësisht këtë të ashtuquajtur vendpushim dimëror, shërbimet e inspektimit duket se nuk ekzistojnë, ndërsa stacioni i policisë ndoshta përdoret vetëm për zbukurim. Një pamje kaq e trishtueshme nuk mbahet mend. Neglizhenca e institucioneve në vend është e pabesueshme”, tha Koço Tulevski nga Tetova, i cili është një nga vizitorët e rregullt në Kodrën e Diellit.
Nga ski-qendra Kodra e Diellit në ELEM Tours thonë se përgjegjës për mbledhjen e mbeturinave është NPK-Tetovë, por ata, për shkak të mekanizimit të pamjaftueshëm, nuk e bëjnë punën e tyre siç duhet./Telegrafi/
The post Kodra e Diellit e mbushur me mbeturina appeared first on Telegrafi.