Gjendja në vend është stabile dhe nuk ka indikacione për rrezik ndaj kufijve, integritetit dhe sovranitetit të shtetit, u konstatua në seancën e sotme konstituive të Këshillit të Sigurisë, që u mbajt në Kabinetin e presidentes, Gordana Siljanovska Davkova.
Në seancë, me të cilën kryesonte presidentja Siljanovska Davkova, kanë marrë pjesë anëtarët e Këshillit të Sigurisë, Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit, Hristijan Mickoski, kryetar i Qeverisë, Pançe Toshkovski, ministër i Punëve të Brendshme, Vllado Misajllovski, ministër i Mbrojtjes dhe tre anëtarët e emëruar nga presidentja, Xhevdet Hajredini, Malinka Ristevska Jordanova dhe Vllado Spiridonov.
Me ftesë të presidentes Siljanovska Davkova, në punën e Këshillit të Sigurimit kanë marrë pjesë edhe shefi i Shtatëmadhorisë së Armatës, gjeneral-majori Sashko Lafçiski, drejtoresha e Agjencisë për zbulim, Gabriella Jakovleva dhe drejtori i Agjencisë për siguri kombëtare, Bojan Hristovski.
“Këshilli i Sigurisë në seancë konstatoi se gjendja në vend është stabile dhe nuk ka indikacione për rrezik ndaj kufijve, integritetit dhe sovranitetit të shtetit. Të pranishmit konstatuan se institucionet kompetente rregullisht e ndjekin gjendjen në vend dhe rajon dhe se sistemi i sigurisë kombëtare është funksional dhe siguron paralajmërim të hershëm për kërcënime dhe rreziqe eventuale”, thuhet në kumtesën e Kabinetit të presidentes.
Njëheri, vlerësohet se pjesëmarrja e Armatës në NATO-misionet, BE-misionet dhe në misione në KB-së është e suksesshme dhe do të vazhdojë, ndërsa numri i pjesëmarrësve në misionet përcaktohet varësisht nga nevojat dhe vendimet e institucioneve kompetente.
Këshilli i Sigurisë do të takohet çdo tre muaj, ndërsa sipas nevojës edhe më shpesh, qëndron në kumtesë.
The post Këshilli i Sigurisë: Gjendja në RMV stabile, nuk ka indikacione për rrezik ndaj integritetit dhe sovranitetit appeared first on Telegrafi.