Në lidhje me qëndrimin e shprehur publik të ministrit të Drejtësisë, Krenar Lloga, i cili kërkoi nga Këshilli Gjyqësor, për shkak të konfliktit të interesit, që të përjashtojë anëtaren Loreta Gjorgjieva nga Komisioni për raportim, pas kërkesës për përcaktimin e përgjegjësisë për një Gjyqtar, Këshilli Gjyqësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut publikoi njoftimin, në të cilin shpreh besimin e sinqertë se “ministri i di mirë dispozitat e Ligjit për Këshillin Gjyqësor, veçanërisht nenet 33 dhe 61”.
“Neni 33 përcakton qartë procedurën në të cilën rastet parashikohet shkarkimi i anëtarit të Këshillit Gjyqësor, ndërsa në nenin 61, si dhe në disa nene të tjerë pasues, është përpunuar procedura për përcaktimin e përgjegjësisë së gjyqtarit ose kryetarit të Gjykatës. Ministri, por edhe publiku, duhet të dijë se procedura për përcaktimin e përgjegjësisë është urgjente, e natyrës konfidenciale, e fshehtë dhe pa praninë e publikut, për të mbrojtur reputacionin dhe dinjitetin e gjyqtarit ose kryetarit të gjykatës”, thuhet në sqarimin për Këshillin Gjyqësor.
Nga Këshilli Gjyqësor thonë se është për t’u habitur se si ka mundësi që ministri të paraqesë publikisht informacion se ndaj kujt është bërë kërkesë dhe aq më pak se kush është anëtar i Komisionit të Raportuesve, madje edhe të kërkojë përjashtim, ku për shkak të fshehtësisë së procedurës, nuk pajiset me materiale ministri, për shkak të pamundësisë ligjore për të marrë pjesë në procedim.
“Ministri Lloga është i obliguar të respektojë Ligjin për Këshillin Gjyqësor, të sillet profesionalisht dhe ashtu siç i ka hije pozitës së tij, dhe në përputhje me dispozitat e Kodit të Sjelljes Etike për anëtarët e Qeverisë dhe bartësit e funksioneve publike të emëruar nga Qeveria, të përgjigjet”, thuhet në reagimin e Këshillit Gjyqësor./Telegrafi/
The post Këshilli Gjyqësor: Ministri Lloga është i obliguar të respektojë Ligjin për Këshillin Gjyqësor appeared first on Telegrafi.