
Të paktën edhe 10 ditë Qeveria nuk do t’i shqyrtojë kërkesat e sindikatave për rritje të pagës minimale. Shprehen se Këshilli ekonomiko-social duhet të mblidhet në gjysmën e dytë të marsit, ku do të shqyrtohen të gjitha kërkesat dhe do të jepen zgjidhjet e duhura.
“Besojmë se për të gjitha propozimet dhe çështjet nga palët e interesuara do të merren vendime që do të përmirësojnë standardin e jetesës dhe do të kenë efekte pozitive për qytetarët, punëtorët dhe sektorin e biznesit”, njoftojnë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.
Rritje të pagës minimale për 7 mijë denarë kërkojnë edhe tekstilpunuesit. Sipas tyre, ka ardhur koha kur klasa punëtore nuk mund të sigurojë tryezë modeste. Ampeva shton se nëse nuk ka përgjigje nga Qeveria do të detyrohen të bëjnë bllokada.
“Mendoj se më së paku që duhet të bëhet është nga funksionarët, deputetët të cilëve në fakt u është rritur paga për 78 për qind, plus 210 euro të tjera nga viti i ri e këtej, personat që marrin pagë 2 mijë euro dhe 4500 denarë në ditë për udhëtim. Mendoj se minimumi që duhet të bëjnë për ata që i kanë votuar dhe që i kanë ulur në ato karrige është rritja e pagës minimale në 31.000 denarë”, tha Kristina Ampeva – Aktiviste për të drejtat e punëtorëve.
Qëndrimi i Organizatës së punëdhënësve është se Maqedonia ka pagë mesatare më të lartë se vendet tjera dhe sipas tyre duhet vetëm harmonizimi i pagës minimale me kriteret ligjore dhe ajo duhet të jetë 24.400 denarë. Nuk përjashtohet mundësia për grevë të përgjithshme, nëse nuk arrihet marrëveshje për rritjen e pagës minimale për së paku 6.000 denarë tha një ditë më parë kreu i Lidhjes së Sindikatave Sllobodan Trendafilov. Ai u bëri thirrje deputetëve që të bien dakord për rritjen e pagës minimale ashtu siç ranë dakord për shpenzimet e udhëtimit. /Alsat/
The post Kërkesat e sindikatës për rritjen e pagës minimale do të presin të paktën edhe 10 ditë appeared first on Telegrafi.