Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami, kërkon nga qytetarët që të jenë të durueshëm në lidhje me mungesën e ujit për pije. Kasami në Facebook shkruan se defektet që paraqiten kohë pas kohe, janë si pasojë e investimit joadekuat, duke mos respektuar standardet e nevojshme për ujësjellësin.
“Të dashur tetovarë, gjatë kësaj periudhe të ftohtë dimri, ne ballafaqohemi me problemin e mospasjes së ujit nëpër shtepitë tona. E gjithë kjo si pasojë e defekteve që na paraqiten kohë pas kohe, ndërsa kjo vjen nga investimi joadekuat duke mos i respektuar standardet e nevojshme për këtë ujësjellës. Përmes këtij njoftimi nuk shfajësohemi nga obligimet dhe përgjegjësitë që i kemi marrë nga verdikti Juaj, por me sinqeritetin më të madh dua që ky njoftim të shërbej si informacion për situaten reale në të cilën ndodhemi bashkërisht”.
“Në vazhdimësi jemi ballafaquar me defekte të njëpasnjëshme, ndërsa gjithashtu shpreh falënderimet e mia për punonjësit e Ndërmarrjes Publike Komunale, të cilet në vazhdimësi janë nëpër majat e Malit Sharr duke u munduar dhe duke dhëne maksimumin e tyre, me ato pak kushte që kanë. Gjatë këtyre ditëve duke sanuar një problem mjaft te veshtirë, sot ballafaqohemi me një problem tjetër, në një pikë tjetër të rrjetit të ujit”.
“Në rrethanat në të cilat gjendemi në vazhdimësi, unë kërkoj mirëkuptimin dhe durimin Tuaj që këto 2 muaj të mundohemi t’i tejkalojmë këto kushte. Ndërsa dua të ju siguroj se gjatë stinës së pranverës dhe zbutjen e kushteve klimatike, do të fillojmë edhe me riparimin e tërësishëm te rrjetit të ujit, dhe ky problem të zgjidhet njëherë e përgjithmonë”, ka shkruar Kasami.
The post Kasami për mungesën e ujit në Tetovë: Kërkoj durim nga qytetarët, defektet paraqiten si pasojë e investimeve joadekuate appeared first on Telegrafi.