Kryeprokurori shtetëror Ljubomir Joveski, në një intervistë për AIM thotë se Prokuroria Publike është e gatshme dhe me angazhim të plotë do t’i qaset zbatimit të ligjit të ri për Prokurorinë Publike, i cili sot hyn në fuqi.
Ai thotë se vendimet e reja ligjore përmbajnë bazë të mirë për prokurori bashkëkohore, si organ për ndjekjen e kryerësve të veprave penale, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Në lidhje me lëndët e ish-Prokurorisë Speciale, Joveski thotë se Prokuroria Themelore do të veprojë me to, në mënyrë që siç thotë, shkelësit e ligjit ta marrin dënimin e merituar.
“Prokuroria nuk do ta përsërisë gabimin e njëjtë, kur për shkak të mosveprimit në raste konkrete u formua PSP. Për shkak të kësaj, ju siguroj se këto lëndë do të marrin epilog gjyqësor”, thotë Joveski.
I pyetur për ndryshimet që sjell ligji i ri, ai tha se ofrohen zgjidhje cilësore, në mesin e të cilave edhe pavarësia financiare e Prokurorisë Publike dhe më shumë mjete për të.
Joveski tha se ligji i ri shënon përgjegjësi të qartë në punën e prokurorit publik dhe e përforcon pavarësinë e saj./Telegrafi/
The post Joveski: Prokuroria e gatshme për zbatimin e ligjit të ri, lëndët e PSP-së do të marrin fund appeared first on Telegrafi.