“Vendosja e funksionimit me një ndërrim në shkollave, aty ku është e mundur, është pjesë e reformës në arsim dhe synimi është që nxënësit të qëndrojnë më gjatë në shkolla, për të marrë sa më shumë njohuri në mënyra të ndryshme”, deklaroi sot ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska në Shkup.
Ajo shtoi se kjo reformë është edhe që mësuesit të bëhen funksional në dobi të njohurive, kompetencave dhe aftësive të nxënësve.
“Kjo është një strategji e tërë. Dihet që ne në vend kemi tepricë mësuesish dhe gjithnjë e më pak fëmijë. Por ne nuk themi se janë tepricë, sepse na duhen mësuesit për të ngritur cilësinë e dijes. Jemi të fundit në të gjitha testet ndërkombëtare dhe testet vendore tregojnë se nxënësit tanë janë shumë prapa bashkëmoshatarëve të tyre në Evropë, ku po synojmë”, tha Janevska.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Janevska, tha se nxënësit që do të ndjekin mësimin me një ndërrim nuk do të jenë gjatë gjithë ditës mbi librin, por qëllimi është përvetësimi i materialit në mënyrë interaktive.
Ajo gjithashtu theksoi se sistemi aktual arsimor nuk i ofron të gjitha. Janevska thotë se qëndrimi i fëmijëve në shkolla nuk do të jetë i vështirë, sepse përveç mësimit do të kenë biseda dhe kohë të lirë.
“Pra, nuk është asgjë e tmerrshme. Aty ku ka kushte fillojmë me këtë reformë. Aty ku nuk ka kushte, ku fëmijët dhe mësimdhënësit janë në dy ndërrime, as që presim të zbatohet”, tha Janevska në Shkup pas nënshkrimit të partneritetit ndërmjet grupit NELT dhe UNICEF-it për promovimin e arsimit profesional përmes mësimdhënies praktike për aftësi të gjelbra./Telegrafi/
The post Janevska: Nxënësit tanë janë shumë prapa bashkëmoshatarëve të tyre në Evropë appeared first on Telegrafi.