“Në historinë e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) për 20 vite në Prokurorinë Publike janë dorëzuar 165 iniciativa për ndjekje penale, prej të cilave vetëm tre kanë shkuar në gjykatë”.
Këtë sot e tha kryetarja e KSHPK-së Biljana Ivanovska. Ajo theksoi se ky është numër i vogël, duke pasur parasysh gjetjet e KSHPK-së, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Sipas saj, duhet të forcohen kapacitetet e Prokurorisë Publike në mënyrë që lëndët të kalojnë më shpejt në gjykata. Vetëm në tre vitet e fundit, KSHPK ka dorëzuar 18 iniciativa në Prokurorinë Publike. Për gjashtë prej tyre kanë marrë përgjigje, dy prej të cilave janë refuzuar, për dy ka qenë ndryshim i gjendjes faktike dhe për dy iniciativa është duke vepruar Prokuroria Publike.
“Mendoj se duhet të forcohen kapacitetet e prokurorisë në përgjithësi që lëndët të kalojnë më shpejt në gjykata. Mendoj se më së shumti nevojitet filtri i parë – Prokuroria Publike të forcojë kapacitetet e saj dhe të punojë më shpejt”, tha Ivanovska.
Në konferencën e sotme për shtyp, Ivanovska theksoi se KSHPK-ja vitin e kaluar ka marrë vendime për gjithsej 707 lëndë.
Nga këto, 404 vendime janë në fushën e korrupsionit, 171 në fushën e konfliktit të interesit, 40 vendime kanë të bëjnë me mosrespektim të dispozitave ligjore gjatë procesit zgjedhor dhe 92 kanë të bëjnë me inspektimin e pasurisë së zyrtarëve./Telegrafi/
The post Ivanovska: Dy dekadat e fundit, vetëm tre iniciativa të KSHPK-së kanë arritur në gjykatë appeared first on Telegrafi.