Qeveria e Maqedonisë së Veriut synon që përmes rishikimit të buxhetit të mund ta përballojë krizën ekonomike, që beson se do të përkeqësohet edhe më shumë deri në fund të vitit. Mbi 200 milionë euro, që janë paraparë me buxhetin aktual për shpenzime joproduktive, do të destinohen për kompanitë, qytetarët, për ndihma sociale dhe rritje të pensioneve e pagave nga muaji shtator.
Ministria e Financave ka bërë të ditur marrjen e një borxhi prej 900 milionë eurosh nga jashtë dhe bankat vendore. Nga këto mjete, 200 milionë euro do të jenë për shlyerjen e borxheve të vjetra, ndërsa 700 milionë euro të tjera për mbulimin e shpenzimeve të parapara me rishikimin e buxhetit. Me vendimin e ri që pritet të miratohet nga Parlamenti, buxheti do të jetë 4.6 miliardë euro.
Por, Qeveria ende nuk ka një vendim për marzhën tregtare për ushqimet bazë që pritet të skadojë më 31 maj.
“Qeveria me vëmendje po i ndjek të gjitha zhvillimet në tregjet botërore pasi aktualisht ne po përballemi me një inflacion që e kemi të importuar, që është shkaktuar kryesisht nga rritja e çmimeve të burimeve të energjisë, të lëndëve të para, por edhe të çmimeve të produkteve bazë në tregjet botërore. Ne po bëjmë analiza me të gjitha ministritë përkatëse se cilat masa do të vazhdojnë e cilat do të ndërpriten. Këto masa kanë dy efekte, në njërën anë mbrojtjen e standardit të qytetarëve, por në anën tjetër duhet kemi parasysh edhe qëndrueshmërinë e kompanisë sa i përket likuiditetit”, ka deklaruar kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Vendimi i Qeverisë për kufizimin e marzhës tregtare ishte vendosur më 1 mars.
Marzha tregtare vlen për produktet bazë ushqimore si buka, sheqeri, kripa, mielli, vaji, qumështi dhe produktet e tij, mishi, orizi, vezët, pastat, gruri dhe frutat e perimet.
Në bazë të këtij vendimi kufizohen fitimet nga tregtia me shumicë në 5 për qind, ndërsa tek ato me pakicë fitimet më të larta të këtyre produkteve mund të jenë 10 për qind.
Abil Baush, njohës i çështjeve të ekonomisë, thotë se institucionet duhet të reagojmë më shpejt, por me masa afatgjate. Sipas tij, masat e deritashme që kanë të bëjnë me çmimet, nuk kanë dhënë ndonjë rezultatet konkret. Këtë ai e ilustron me çmimin e vajit që ka arritur në afër 2.5 euro për litër nga më pak se 1.5 euro sa ishte në muajin shkurt.
“Qeveria dhe Banka Popullore duhet të reagojnë sa më shpejt që ta zbusin këtë krizë ekonomike apo inflacionin që është pasojë e krizës globale. Këto morën disa masa afatshkurtra, por që nuk dhanë rezultate, sepse te njerëzit kjo nuk ishte evidente, sepse ngrirja e çmimeve rezultoi me manipulime të çmimeve në treg dhe ne e shohim se çfarë po ndodh me çmimin e vajit. Nga ana tjetër, masat që merren nga Qeveria duhet të jenë më afatgjate”, thekson Baushi.
Ai thotë se shtrenjtimit do të vazhdojnë për aq kohë sa zgjat konflikti në Ukrainë, por edhe sikur të ndalet, ai thotë se mund të ketë ndonjë stabilizim, por jo edhe kthim të çmimeve në periudhën e para këtij konflikti.
“Unë nuk mendoj se do të kthehen çmimet paraprake. Mund të kemi ndonjë rënie të çmimeve, kryesisht të karburanteve nëse do të ketë ndonjë ulje në bursat botërore, por te çmimet tjera nuk do të ketë ulje dramatike. Mendoj se diku nga vjeshta mund të kemi ndonjë baraspeshë në treg nëse nuk ndodh diçka dramatike në konfliktin Ukrainë-Rusi”, thotë ai.
Lidhur me masat e Qeverisë, opozita maqedonase vlerëson se “rishikimi i buxhetit nuk do ta ndryshojë gjendjen ekonomike”.
Sipas OBRM-PDUKM-së, vendimi për rishikimin e buxhetit apo shkurtimin e shpenzimeve joproduktive dëshmon, sipas opozitës, politikat pa ide të Qeverisë së LSDM-së dhe BDI-së.
“Shkurtimi i mjeteve për investime kapitale dëshmon se kjo Qeveri nuk ka, as plan e as vizion se si mund të dalë vendi nga kriza ekonomike, për të cilën është përgjegjëse”, thuhet në reagimin e OBRM-PDUKM-së./REL/
The post Heqja e marzhës do t’i rrisë çmimet e produkteve bazë në Maqedoni appeared first on Telegrafi.