Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup në lidhje me aksidentin në Llaskarcë u mor në pyetje eksperti Lupço Postollov, pjesë e ekipit i cili e përgatiti superekspertizën për aksidentin në të cilin humbën jetën 16 persona dhe rreth 30 ishin lënduar.
Lupço Micevski, avokat i të akuzuarit të gjashtë – shoferit të autobusit, sot vazhdoi ta marrë në pyetje ekspertin Lupço Postollov. I pyetur nëse 1,67 sekonda nuk janë të mjaftueshme për frenim, por është i mjaftueshëm për reagim në timon dhe ridrejtim të timonit djathtas, ai u përgjigj se disa herë kanë theksuar se nga shoferi i autobusit nuk ka pasur kurrfarë reagimi.
Në lidhje me atë se timoni pas aksidentit është gjetur i kthyer djathtas, i pyetur nëse në këtë rast kanë gjetur fotografi ku timoni është fotografuar në pozitën e lëvizjes drejtë, ai u përgjigj se në pozitën fundit timoni është në gjendje të deformuar. “Fotografi të tillë nuk ka, por sqarova se të gjitha fotografitë ku timoni është i kthyer djathtas mund të ishin për shkaqe të ndryshme dhe deformime”, tha eksperti.
I pyetur nëse sistemi ABS i këtij autobusi ishte në rregull në ditën e aksidentit, ai u përgjigj jo. “Në bazë të vëzhgimeve makinerike, sistemi ABS nuk ishte në rregull, gjegjësisht ishte prerë teli që ka lidhje me pajisjet”, u përgjigj ai.
Në pyetjen nëse ai defekt i sistemit ABS ishte te njëra nga rrotat, ose te të gjitha rrotat, ai u përgjigj te të gjitha.
I pyetur nëse me një sistem të tillë ABS për frenim, ky autobus ka guxuar të lëshohet në qarkullim dhe të transportojë udhëtarë më datë 13.2.2019 nga ana e personave përgjegjës të “Durmo Turs, ai u përgjigj se nuk do të duhej. “Vlerësoj se nuk duhej, sepse çdo defekt i cili do të vërtetohej në kontroll teknik, para se të lëshohet autobusi në qarkullim në komunikacion, duhej të mënjanohej”, tha eksperti.
I pyetur nëse gjatë një sistemi të tillë me defekt në frenimin ABS, mund të arrihet ajo që rrotat e para të autobusit të mos menaxhohen, eksperti u përgjigj se sistemi ABS nuk ka pasur kurrfarë ndikimi e as që është shkak për në aksidente komunikacioni.
Seanca dëgjimore e superekspertëve është zhvilluar tashmë një kohë të gjatë. Në seancat e fundit, avokati i të akuzuarit të gjashtë – shoferi i autobusit, ka bërë disa pyetje në lidhje me ndodhjen e aksidentit dhe mosfunksionimin teknik të autobusit, shumica e të cilave janë kundërshtuar nga avokatët e të akuzuarve të tjerë, sipas të cilëve përsëriten pyetjet.
Prokurori në seancën e sotme tha se strategjia e avokatëve të të akuzuarve të tjerë është bartja e përgjegjësisë tek shoferi, për të cilin ata u përgjigjën se është e palejueshme që prokurori publik, duke deklaruar një gjë të tillë, të vihet në rolin e avokatit mbrojtës të të akuzuarit.
The post Gjykimi për “Llaskarcën”, eksperti: Sistemi ABS i autobusit nuk ka funksionuar appeared first on Telegrafi.