Pala bullgare i përmbahet zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit të vitit 2017, si dhe respektimit të të drejtave të bullgarëve në Maqedoninë e Veriut.
Kështu deklaroi Ministrja e Jashtme bullgare Teodora Gençovska për “BNR”, në prag të takimit të rregullt në nivel ekspertësh ndërmjet Ministrive të Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, që do të mbahet sot në Sofje, në përputhje me dinamikën e dakorduar të negociatave dypalëshe për paketën e çështjeve politike.
Sipas Gençovskas, Bullgaria do të vazhdojë të mbështesë, siç thotë ajo, “kërkesën legjitime të bullgarëve në Maqedoninë e Veriut që të përfshihet njësoj me të gjithë popujt e tjerë në Kushtetutën e saj”, njofton korrespondenti i AIM-s nga Sofja.
Një nga prioritetet kryesore, tha ajo, është përparimi në punën e Komisionit të Përbashkët për Çështjet Historike dhe Arsimore, për të hartuar një kalendar për përkujtimin e përbashkët të asaj që ajo pretendon se është një “histori e përbashkët për të cilën tashmë është arritur marrëveshje”.
“Do të kërkojmë një proces për modernizimin e kurrikulave në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, tha ministrja e Jashtme bullgare.
The post Gençovska: Bullgaria kërkon zbatimin e plotë të Marrëveshjes së fqinjësisë së mirë dhe respektimin e të drejtave të bullgarëve appeared first on Telegrafi.