Të gjithë jemi shumë të përkushtuar drejtë gjetjes së përbashkët të zgjidhjeve të cilat do të sjellin hapjen e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut sa më shpejtë që është e mundur, deklaroi sot euroambasadori David Geer, në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve nëse propozimi portugez për zhbllokimin e procesit tonë eurointegrues do të shqyrtohet edhe gjatë presidencës sllovene me BE-në.
“I vlerësojmë përpjekjet që të zgjidhen çështjet e pazgjidhura ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë. Kjo është me të vërtetë e rëndësishme dhe diçka drejtë çka bëjmë thirrje sa i përket hapjes së vetë bisedimeve. Këtu mund ta përsëris atë që e thotë udhëheqësia e BE-së, shpresojmë se bisedimet do të hapen sa më shpejtë që është e mundur”, theksoi euroambasadori Geer.
Në pyetjen që të japë koment për retorikën e disa politikanëve bullgarë, si dhe të eurodeputetit nga Bullgaria në lidhje me Maqedoninë e Veriut, Geer tha se kur bëhet fjalë për marrëdhëniet e mira fqinjësore, është me rëndësi që politikanët të jenë të përmbajtur në deklaratat.
“Sa i përket vërejtjeve të dhëna nga disa politikanë të vendeve të tjera dhe deputetë të vendeve anëtare, unë nuk do të komentoj për këtë, nuk është kjo praktikë e imja. Por, është me rëndësi që të jemi të përmbajtur gjithmonë kur bëhet fjalë për marrëdhëniet e mira fqinjësore. Ato janë me të vërtetë të rëndësishme dhe për këtë politikanët duhet të jenë të përmbajtur në atë drejtim”, tha euroambasadori Geer në konferencën për media me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes për mbështetje të ndërmarrjeve në vlerë prej 100 milionë euro nga Banka Evropiane e Investimeve (BEI).
The post Geer: Jemi të përkushtuar për fillim sa më të shpejtë të bisedimeve me RMV appeared first on Telegrafi.