Gastronomët janë gjithnjë më të zëshëm në kërkesën, që dasmat të mund të organizohen edhe në restorante, që nuk kanë tarraca verore dhe janë të mbyllura. Më shumë se gjysma e objekteve të kategorizuara nuk kanë tarracë verore dhe nuk mund të punojnë për momentin. Përveç që i akuzojnë ata për diskriminim, gastronomët kanë frikë se nëse e humbin këtë sezon të dasmave verore, përmabruesit do tu trokasin në derë, sepse thonë janë të mbingarkuar me kredi.
“Aktualisht, vetëm gjysma e të gjithë operatorëve ekonomikë në këtë sektor po punojnë. Ne presim që duke lehtësuar masat, të gjithë operatorët ekonomikë që janë kategorizuar si objekte gastronomike, nga Ministria e Ekonomisë të mund të marrin leje pune”, deklaroi Marija Sinadinovska Arsovska – Oda e gastronomeve.
Gastronomët nga Maqedonia Perëndimore të cilët mezi i presin mërgimtarët të kthehen në shtëpi dhe të organizojnë dasma, ose ndonjë festë tjetër familjare thonë se me rregulla të tilla, dasmat do të duhet të organizohen në vendet fqinje si Kosovë ose Shqipëri, ku lejohet të ketë festime edhe në pjesën e mbyllur të objekteve gastronomike.
Nga Ministria Ekonomisë për këtë problem shpallën veten jokompetent. Ata për Alsat thanë se nuk i miratojnë protokollet e punës, por Qeveria vendos për propozimin e Komisionit të Sëmundjeve Infektive. Nga Qeveria na thanë se bëhen analiza.
“Vazhdimisht bëhen analiza të gjëra në lidhje me gjendjen shëndetësore. Nëse Komisioni i Sëmundjeve Infektive miraton propozim mbi këtë çështje dhe nëse miratohet nga Qeveria, publiku do të njoftohet menjëherë”, njoftojnë nga Qeveria.
Në bisedën telefonike me njërin nga anëtarët e Komisionit të Sëmundjeve Infektive, u informuam se është shumë herët për të lejuar punën në pjesët e mbyllura të restoranteve. Arsyeja, thonë ata, është parandaluese, por nëse numri i pacientëve të rinj vazhdon të bjerë, atëherë nuk përjashtohet mundësia e relaksimit të plotë të protokolleve./Alsat/
The post Gastronomët në Maqedoni kërkojnë që dasmat të organizohen edhe brenda restoranteve appeared first on Telegrafi.