Gashi: Jemi të gatshëm menjëherë t’i përfshijmë bullgarët në Kushtetutë, por kërkojmë garanci se nuk do të ketë kushte të reja

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi nga Berlini tha se shumica qeveritare është e gatshme menjëherë t’i përfshijë bullgarët në Kushtetutë, por kërkon parashikueshmëri të procesit.

“Nuk kemi kurrfarë problemi me atë që bullgarët të jenë pjesë e Kushtetutës, por presim garanci se menjëherë pastaj nuk do të ketë kusht tjetër”, tha Gashi për Dojçe Vele, duke theksuar se në Qeveri nuk ka dilemë se duhet të vazhdohet rruga evropiane e vendit sa më shpejtë.

Pasi Shqipëria javën e kaluar edhe zyrtarisht i filloi negociatat për anëtarësim në BE, Gashi thotë se edhe zyrtarisht Shkupi dëshiron që procesi të vazhdojë sa më shpejtë.

“Ju e dini që bllokada nga Bullgaria i referohet çështjeve historike dhe identitare. Kemi ardhur sot në RF të Gjermanisë pikërisht për këtë temë. Duam që ky proces të zhbllokohet sa më shpejt të jetë e mundur. Ne jemi të gatshëm t’i përfshijmë menjëherë bullgarët në Kushtetutë. Mendoj se kemi një konsensus të plotë ose më konkretisht të madh se nuk kemi asnjë problem që bullgarët të jenë pjesë e Kushtetutës. Por problemi ynë është me parashikueshmërinë e procesit dhe garancitë që menjëherë pas kësaj nuk do të ketë pyetje të radhës apo kusht tjetër që ka të bëjë me çështje historike dhe identitare që mendojmë se janë të vështira për t’u zgjidhur në tavolinat e bisedimeve politike”, tha Gashi.

Advertisement

Lidhur me ndërmjetësimin e propozuar nga kryeministri hungarez Viktor Orban, të cilin Bullgaria e refuzoi, dhe nëse Gjermania mund të përfshihet si lehtësues, kryetari i Kuvendit thekson se Shkupi dhe Sofja kanë kapacitet për të rënë dakord, por çdo ndihmë është e mirëseardhur.

“Mendojmë se si dy shtete fqinje kemi kapacitete të ulemi dhe të arrijmë marrëveshje, por sigurisht që çdo ndihmë është e mirëseardhur për ne. Ne nuk i zgjedhim miqtë që duan të na ndihmojnë, për ne është e rëndësishme që procesi i integrimit evropian të vazhdojë, dhe sa më shpejtë të bëhemi anëtarë të BE-së”, thotë Gashi.

Ai thekson se koalicioni qeveritar OBRM-PDUKM dhe Vlen është i vetmi sa i përket afrimit me BE-në dhe punon intensivisht për zhbllokimin e procesit.

“Sa i përket komponentit identitar, edhe pse nuk i prek shqiptarët, është mirë që jo vetëm shqiptarët, por të gjithë qytetarët e vendit pa dallim etnie, të gjithë së bashku të qëndrojmë në mbrojtje të identitetit maqedonas dhe prandaj mendojmë se ky proces duhet të vazhdojë dhe Maqedonia sa më shpejt të bëhet anëtare e BE-së”, tha Gashi për DV.

Advertisement

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka takuar në Berlin kryetaren e Bundestagut gjerman, Barbel Bas, me deputetët dhe kryetarët e komisioneve parlamentare, Mihael Rot, Anton Hofrajmer dhe Dirk Fopel, si dhe me ministren për Evropë në MPJ-në gjermane, Anja Lirman.

The post Gashi: Jemi të gatshëm menjëherë t’i përfshijmë bullgarët në Kushtetutë, por kërkojmë garanci se nuk do të ketë kushte të reja appeared first on Telegrafi.

Share.

Leave A Reply

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy