Bashkimi Evropian i ka dhuruar Ndërmarrjes Transportuese Publike – Shkup gjashtë autobusë ekologjikë, ndërsa në pranim-dorëzimin e tyre morën pjesë ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti, kryetarja e Bashkisë së Shkupit Danella Arsovska, si dhe ambasadori i BE-së në vend, Michalis Rokas.
Por ajo që u vërejt nga mediat ishin mbishkrimet brenda autobusëve që ishin në tre gjuhë, ndërsa në gjuhën shqipe ishin shkruar gabimisht. Gjegjësisht, në ngjitëset shkruhej: “Mos u mbërohet në derë”, ndërsa duhet të jetë “mos u mbështet në derë”, siç është shkruar në gjuhën angleze dhe maqedonase.
Pasi u vërejt ky gabim drejtshkrimor në gjuhën shqipe, kanë reaguar nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MJPH), prej ku thonë se ngjitëset do të ndërrohen para se autobusët të lëshohen në përdorim.
“Autobusët e rinj me gaz natyror të kompresuar, të cilët u dorëzuan sot nga UNOPS në Ndërmarrjen e Transportit Publik në Shkup, dhe janë donacion nga Bashkimi Evropian përmes projektit “BE për ajër të pastër”, mbërritën në Maqedoninë e Veriut me ngjitëse orientuese në gjuhën maqedonase, shqipe dhe angleze nga investitori i huaj dhe të njëjtat janë shënuar me gabime drejtshkrimore në gjuhën shqipe dhe maqedonase”.
“Gabimet u vërejtën menjëherë dhe u përgatitën ngjitëse të reja nga UNOPS, të cilat do të ndërrohen para se të vihen në përdorim gjashtë autobusët ekologjikë, të dedikuar për përmirësimin e cilësisë së ajrit në qytetin e Shkupit”, thonë nga MJPH./Telegrafi/
The post Gabime drejtshkrimore në gjuhën shqipe në autobusët e rinj ekologjik në Shkup, MMJPH: Do të ndërrohen para se autobusët të dalin në qarkullim appeared first on Telegrafi.