12 milionë euro do të investohen në qarkoren e Tetovës, me gjatësi prej 5.4 kilometrave në rrugën nga kthesa për në fshatin Trebosh deri në fshatin Neproshten, ndërtimi i së cilës filloi sot nën praninë e kryeministrit teknik, ministrave, deputetëve dhe përfaqësuesve të vetqeverisjes lokale.
“Ndërtimi i kësaj qarkore është projekt që do të përshpejtojë zhvillimin ekonomik të rajonit, do të lehtësojë trafikun dhe do të lehtësojë qasjen e shumë kompanive që veprojnë në këtë pjesë të vendit”, tha ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Blagoj Boçvarski.
Ai theksoi se investimi në vlerë prej mbi 12 milionë euro është kontribut i rëndësishëm në zhvillimin e rrjetit rrugor në mbarë vendin dhe do të jetë lehtësim i madh për të gjithë qytetarët nga Tetova, Zhelina, Tearca, Jegunovca dhe të gjitha vendet tjera që lidhen me këto komuna.
Mjetet janë siguruar nga buxheti i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, si pjesë e programit vjetor të investimeve.
“Është planifikuar të ndërtohet 5.4 kilometra rrugë, pra qarkorja do të ketë dy korsi nga të dyja anët me gjerësi totale 6.60 metra. Në të dy anët e rrugës do të ketë rrugë paralele shërbimi, në të gjithë gjatësinë e segmentit me gjerësi rreth tre metra”, tha drejtori i NP “Rrugët Shtetërore”, Ejup Rustemi.
Edhe kryeministri teknik, Talat Xhaferi, theksoi rëndësinë e projektit dhe se kamionët e rëndë do të largohen nga rrugët e zonës qendrore të qytetit, gjegjësisht transportuesit do të lëvizin në një rrugë moderne dhe të sigurt, e me këtë edhe qytetarët do të mbrohen.
Në pyetjen gazetarëve për prezencën e tij si kryeministër teknik në promovimin e një projekti kapital, Xhaferi tha se një nga obligimet e Qeverisë është organizimi i zgjedhjeve dhe se i ka të gjitha kompetencat sipas ligjit dhe Kushtetutës dhe do t’i përmbushë të gjitha aktivitetet dhe kompetencat.
“Zgjedhjet nuk janë shpallur, interpretoni si të doni, unë jam duke i kryer punët e përditshme”, tha Xhaferi, i pyetur nëse ngjarja ishte fushatë parazgjedhore.
Në kuadër të këtij projekti, siç bëri të ditur Rustemi, janë paraparë disa objekte, si rrethrrotullimi, mbikalimi mbi hekurudhë. Ka filluar edhe procesi për shpronësim, dhe afati për kryerjen është 15 muaj pas futjes në punë të kontraktorit, pra ndërtimi duhet të përfundojë në maj të vitit të ardhshëm.
Kjo është faza e parë për realizimin e projektit dhe faza e dytë parashikon ndërtimin e kryqëzimit në Trebosh, për të cilin ka nisur projektimi. Qarkorja do të ndërtohet nga kompania “Granit”./Telegrafi/
The post Fillon ndërtimi i qarkores në Tetovë, investim 12 milion euro – duhet të përfundojë vitin e ardhshëm appeared first on Telegrafi.