Pas një analize të detajuar të buxhetit, mund të konstatohet se OBRM-PDUKM nuk parasheh rritje të pagave në asnjë sektor. Nuk do t’i respektojë obligimet nga kontrata e përgjithshme kolektive, nuk do të ketë paga më të larta për arsimtarët, punëtorët shëndetësorë, policinë, ushtrinë, thotë kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
“Kërkesa e sindikatave për rritjen e pagës minimale në 450 euro nuk është paraparë dhe kontratat kolektive po vihen në pikëpyetje. Ky është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj të drejtave të punonjësve dhe poshtërim i tyre. Me këtë OBRM-PDUKM pezullon politikën e rritjes së vazhdueshme të pagave.
Përmes rritjes së pagave, LSDM-ja e përforcoi standardin e qytetarëve për shtatë vite dhe i përkrahu në kriza ekonomike me masa shtesë prej 1.3 miliardë euro”, thotë Filipçe.
LSDM, thekson ai, mbetet plotësisht në anën e punëtorëve dhe përkrah sindikatat në betejën për realizimin e të drejtave të tyre.
“Në Kuvend do ta kundërshtojmë me forcë këtë politikë dhe buxhetin poshtërues. Ky buxhet, sipas të gjitha analizave të ekspertëve të pavarur, nuk do të sjellë rritje të produktivitetit dhe rritje më të madhe, si dhe do të sjellë borxhe të mëdha, ndërsa pagat e punëtorëve nuk do të rriten”, shtonë Filipçe./Telegrafi/
The post Filipçe: OBRM-PDUKM i poshtëron punëtorët, nuk ka rritje të pagave në asnjë sektor appeared first on Telegrafi.