Grupi punues për përgatitjen e ligjit për përfaqësim të drejtë deri më tani ka mbajtur tre takime, zgjidhja e re ligjore do të përgatitet më pas do të dorëzohet në procedurë parlamentare, deklaroi zëvendëskryeministri i Qeverisë përgjegjës për qeverisje të mirë.
“Siç e dini, tashmë ka konsultime brenda Qeverisë, megjithëse ka pasur disa mesazhe kontradiktore, sërish është krijuar një grup pune që do të punojë për një zgjidhje të re ligjore për përfaqësim të barabartë dhe të drejtë, me qëllim që pas 22 vitesh ajo që është arritur si një marrëveshje, definitivisht të zbtihet dhe të arrihet ai përfaqësim i drejtë në administratën publike. Unë si përfaqësues i VLEN-it, tashmë kam marrë pjesë në tre takime në këtë drejtim, që të koordinohemi rreth zgjidhjes së re ligjore e cila më pas do të dorëzohet në procedurë parlamentare, do të ketë debat publik për këtë, dhe shpresojmë shumë se do të gjendet zgjidhja më e përshtatshme”, deklaroi Fetai i cili sot mori pjesë në Platformën Rajonale Veber për Reformën e Administratës Publike, organizuar nga Instituti për Politika Evropiane – EPI, nga Shkupi.
Sipas tij, një gjë është çështja e balancuesit, tjetër është çështja e përfaqësimit 20 për qind në Kushtetutë.
“Lidhur me balancuesin dua t’ju kujtoj se edhe qeveria e mëparshme në kuadër të strategjisë për reformë në administratën publike tashmë kishte marrë një vendim për heqjen e balancuesit, dhe Gjykata Kushtetuese e miratoi këtë vendim. Edhe në kuadër të Qeverisë tashmë ka marrëveshje për miratimin e ligjit të ri për përfaqësim të drejtë dhe të barabartë të komuniteteve. Ju e dini që balancuesi ishte një mekanizëm për të arritur atë përfaqësim të drejtë, por ishte një mekanizëm që shpesh keqpërdorej, si nga institucionet publike ashtu edhe nga qytetarët. Kemi raste se si janë keqpërdorur deklaratat për përkatësine etnike, si nga maqedonasit që janë paraqitur si shqiptar, ashtu edhe nga shqiptarët që janë paraqitur si maqedonas”, tha Fetai.
Ai shtoi se 20 për qind është kategori kushtetuese dhe, sipas tij, i referohet shqiptarëve sepse nuk ka asnjë komunitet tjetër etnik që e arrin atë përqindje.
“Të paktën nëse flasim në nivel qëndror, por edhe në nivel lokal, ato 20 për qind duhet të mbeten sepse i referohen, shembull komunitetit turk, i cili në komuna të caktuara arrin përqindjen prej 20 për qind të përfaqësimit. Ne si Aleanca për Shqiptarët dhe si VLEN disa herë e kemi shprehur angazhimin tonë për heqjen e 20 për qind nga Kushtetuta. Besojmë se herën tjetër kur të hapet kushtetuta në kuadër të ndryshimeve që duhet të bëhen në rrugën tonë drejtë BE-së, do të zgjidhet edhe kjo çështje, se kto 20 për qind do të përcaktohen saktë në Kushtetutë”, thotë zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë.
Në pyetjen e gazetarëve nëse ka një shifër konkrete për përfaqësimin e shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera në administratën publike dhe nëse ka ndonjë institucion ku ka më pak përfshirje të komuniteteve, ai e theksoi ASHAM-in dhe tregoi se koalicioni VLEN që është pjesë e Qeverisë, mbetet në idenë për një akademi të veçantë.
“Të dhëna të tilla gjenden në raportet vjetore të publikuara nga Avokati i Popullit. Në ato raporte duket se përfaqësimi është diku mbi 20 për qind, por ka shumë institucione ku kjo shifër është shumë nën këtë nivel. Një nga ato institucione është sigurisht ASHAM ku, sipas informacioneve të mia, nga 64 të punësuar është vetëm një shqiptar. Për këtë arsye, në kuadër të VLEN-it kemi nisur një iniciativë për themelimin e një akademie shqiptare në vend, tha Fetai.
The post Fetai: Arritje përfundimtare të përfaqësimit të drejtë në administratë duhet të sjellë ligji i ri në përgatitje appeared first on Telegrafi.