
Njëmbëdhjetë komuna në Maqedoni do të marrin grante në vlerë të përgjithshme prej 350.000 dollarë amerikanë nga Fondi për Dokumentacion Teknik (FDT) për përgatitje të dokumentacionit teknik për projekte të reja. Kryetarët e Gradskos, Krushevës, Makedonski Brodit, Novacit, Pehçevës, Studeniçanit, Tearcës, Çashkës, Çairit, Ohrit dhe Shtipit sot nënshkruan marrëveshje të cilat do tu ndihmojnë në fuqizimin e kapaciteteve të vetëqeverisjeve lokale.
Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, në ngjarjen me rastin e nënshkrimit të marrëveshjeve theksoi se ky projekt është me rëndësi të madhe për komunat më të vogla të cilat përballen me burime të kufizuara njerëzore, mungesë të ideve cilësore për projekte dhe dokumentacion të papërgatitur.
“Padyshim, ky është një investim në zhvillimin dhe të ardhmen e komunave, në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve dhe në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik. Me këtë nismë, ne po bëjmë një hap të rëndësishëm përpara në krijimin e bashkësive lokale më funksionale, konkurruese dhe të qëndrueshme. Ne vazhdojmë të punojmë me përkushtim drejt forcimit të kapaciteteve komunale, sepse komuna të forta do të thotë shtet i fortë”, tha ministri.
Ambasadorja e Suedisë, Ami Larson Xhain, potencoi se Suedia mbetet mbështetëse e përkushtuar e integrimeve evropiane të Maqedonisë së Veriut.
“Çdo 1 euro e investuar në Fondin e Dokumentacionit Teknik mobilizoi 5 euro financim shtesë për ndërtimin e projekteve të veçanta infrastrukturore nëpër komuna, në vlerë të përgjithshme 16 milionë euro për realizimin e plotë të 23 projekteve komunale të infrastrukturës dhe zhvillimit. Kjo është vetëm një pjesë e vogël e potencialit të saj të plotë, i cili do të realizohet vetëm nëse ka përkushtim dhe pronësi nga institucionet vendore dhe kombëtare”, tha ajo.
Përfaqësuesi i përhershëm i Kombeve të Bashkuara, Armen Grigorian paralajmëroi se deri në fund të fazës së dytë vijuese të projektit do të investohen rreth 3 milionë dollarë amerikanë në përgatitje të mbi 130 komplete dokumentacion teknik.
“Deri më tani projekti ka mbështetur 90 komplete të tilla. Jemi të kënaqur që në bazë të këtyre projekteve komunat kanë realizuar financim të shumë prej tyre përmes mekanizmave të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare për financim”, theksoi Grigorian.
Drejtori i Byrosë për Zhvillim Rajonal, Daut Memishi, shprehu mirënjohje për të gjithë partnerët të cilët kontribuuan për zbatimin me sukses të këtij procesi dhe informoi se komunat tashmë në mënyrë aktive punojnë në grumbullimin e të dhënave të nevojshme.
“Kjo platformë mundëson një proces transparent dhe efikas të dhënies së fondeve dhe funksionaliteti i saj e bën atë një burim të vlefshëm për nismat e ardhshme. Përgatitja e dokumentacionit teknik për 11 projektet e përzgjedhura është tashmë në një fazë të avancuar dhe komunat po punojnë në mënyrë aktive për mbledhjen e të dhënave të nevojshme. Ky proces jo vetëm që do të mundësojë realizimin e suksesshëm të projekteve, por edhe do të forcojë aftësitë profesionale të ekipeve komunale, duke rritur kapacitetet e tyre për të menaxhuar investimet e ardhshme”, theksoi Memishi.
Projektin “Fuqizimi i kapaciteteve komunale për zbatimin e projekteve” e zbaton Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara – UNDP me mbështetje financiare të Suedisë dhe Byrosë për Zhvillim Rajonal, ndërsa partnerë në projekt janë Ministria e Vetëqeverisjes Lokale dhe BNJVL.
The post FDT dhe BNJVL: Me 350.000 dollarë 11 komuna do të realizojnë dokumentacione teknike për projekte të reja appeared first on Telegrafi.