Enti Shtetëror i Statistikës nuk sqaron paqartësitë e krijuara rreth regjistrimit të shtetasve resident ose joresidentë nga një person i afërm, për të cilët drejtori Apostoll Simovski deklaroi se nuk do të mund të jepen të dhëna për përkatësinë etnike, fetare dhe gjuhësore. Opinioni nuk është sqaruar se si kjo do të realizohet, pasi nuk parashikohet as në ligj dhe as në metodologjinë e regjistrimit. Edhe pse kishte premtuar një sqarim, Simovski vendosi të heshtë për këtë çështje. Megjithatë, për media të tjera, ai ka deklaruar se u ka dhënë mundësinë ekspertëve të shqyrtojnë dispozitat e ligjit dhe metodologjisë para se të dalë me një qëndrim në fund të javës. Në një panel diskutimi për regjistrimin të organizuar nga Qendra për liri Civil, Simovski foli për rëndësinë e regjistrimit të diasporës.
Vlerësojmë se shteti ka interes të madh të dijë sa është numri i këtyre personave, çfarë strukture kanë sipas të gjitha kategorive, moshës, gjinisë, aktiviteti në kuptimin e punësimit ose arsimimit, nga vijnë, në cilat periudha kohore janë shpërngulur dhe në cilin drejtim kanë lëvizur. Viteve të fundit licitohet me numrin e emigrantëve tonë por ne nuk kemi numër të sakt, fatkeqësisht”, tha Apostoll Simovski, drejtor i Entit të Statistikës.
Edhe zv. drejtori Ilmi Selami kishte deklaruar se kjo deklaratë e drejtorit është në kundërshtim me ligjin dhe metodologjinë. Përplasja mes qëndrimeve të dy krerëve të Statistikës, sipas OBRM-PDUKM-së, është dëshmi se operacioni i regjistrimit është politizuar.
“Të gjithë këtë unë e paralajmërova se do të ndodhë. Që nga momenti i parë ata e politizuan. Që nga momenti i parë, në vend të operacionit statistikor, ai u shndërrua në operacion politik, garë për përqindje, garë për numra, i cili nuk do të japë përgjigje për zhvillimin e ardhshëm të vendit”, pohoi Hristijan Mickoski, kryetar i OBRM-PDUKM-së .
Në një komunikatë për metodologjinë e regjistrimit të diasporës, Qeveria shmang këtë çështje.
“Gjatë regjistrimit të këtyre personave, të dhënat e pakompletuara nuk i pranon aplikacioni dhe me këtë hiqet mundësia që të regjistrohen persona me të dhëna të pasakta”, thonë nga Qeveria e RMV-së.
Të pyetur nga Alsat, nga ekzekutivi nuk morëm përgjigje konkrete, se si e komentojnë deklaratën e Simovskit. Përveç regjistrimit nga një i afërm që jeton në vend, diaspora ka edhe mundësinë e regjistrimit në mënyrë elektronike nga 1 marsi deri më 21 prill. Metoda e regjistrimit elektornik është më e rekomandueshme nga Enti i Statistikës./Alsat/
The post Enti i Statistikës nuk sqaron metodologjinë e regjistrimit të popullsisë në RMV appeared first on Telegrafi.