Akoma nuk ka asgjë konkrete se si do të fillojë ky vit shkollor për nxënësit e Maqedonisë së Veriut, nëse ata do të kthehen ose jo në bankat e shkollës. Nga dikasteri i arsimit thonë se gjendja epidemiologjike do të diktojë veprimet që do të ndërmerren.
Në bazë të rekomandimeve të Komisionit për Sëmundje Ngjitëse në Maqedoninë e Veriut, në bankat e shkollës në shtator pritet të ulen vetëm nxënësit e klasës së parë dytë dhe tretë, afërsisht fëmijët deri në moshën 10 vjeçare, përderisa nxënësit e tjerë rekomandohet që mësimin ta ndjekin online, megjithëse kanë shtuar se ky propozim për të ndjekur mësimin në distancë nuk i përfshinë të gjitha shkollat në komuna të ndryshme të shtetit.
Jakim Nedellkov, kryetar i Sindikatës së Arsimit dhe Shkencës në Maqedoninë e Veriut, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë se në rend të parë është shëndeti i nxënësve dhe arsimtarëve, megjithëse shton se jo të gjitha shkollat në rajone të ndryshme të vendit kanë kushte të njëjta, andaj sipas tij, mësimi në shkolla të ndryshme të vendit, duhet përshtatur me rrethanat që imponon gjendja epidemiologjike.
“Të gjithë e kemi të qartë se kushtet për punë nuk janë të njëjta në të gjitha shkollat në nivel kombëtar, andaj sipas meje nuk duhet të unifikohet një model i vetëm i mësimit për të gjitha shkollat. Shkollat dallojnë në shumë aspekte në rajone të ndryshme, e para është numri i të infektuarve në rrethe të caktuara, më pas kemi shkolla që janë të mbipopulluara, por ka shkolla që kanë numër shumë më të vogël të nxënësve. Për ne si sindikatë do të jetë më e pranueshme ai model që do të jetë më i përshtatshëm në nivel lokal”, thotë Ndellkovski.
Ekspertët e arsimit thonë se rrethanat që ka imponuar koronavirusi me mësimin on-line do të lënë pasoja afatgjata tek nxënësit si në aspektin e nxënies së mësimit, por edhe ndërtimin e karakterit të tyre.
Avzi Mustafa, pedagog, për Radion Evropa e Lirë thotë se mësmi online po dëmton gjendjen emocionale të nxënësve, si dhe ka zbehur në masë të madhe raportet emocionale nxënës-nxënës dhe nxënës mësimdhënës.
“Kontakti mësimdhënës-nxënës është shumë i rëndësishëm në procesin e nxënies së dijes, sepse gjatë komunikimit të drejtpërdrejtë mësuesi ka mundësi të shoh se ku ngec një nxënës i caktuar dhe të reagojë menjëherë. Tani nxënësve u mungon ana emocionale, mungon fjala e arsimtarëve të cilën e përfytyrojnë më pas gjatë gjithë jetës ku i kanë marrë bazat e para gjatë mësimit, për njohuri të ndryshme” thotë Mustafa.
Megjithëse gjatë kësaj jave, ministri i Arsimit Arbër Ademi, tha se ai personalisht është për atë që nxënësit të kthehen në bankat e shkollës më 1 shator kur dhe fillon viti i ri shkollor 2020/2021 duke respektuar rekomandimet për mbrojtje nga virusi COVID-19, megjithëse ka nënvizuar se fjalën përfundimtare duhet ta kenë ekspertët e shëndetësisë.
Ademi ka bërë të ditur se shqyrtohen më shumë modele, ku përfshihet pjesëmarrja fizike, modeli i mësimit online ose modeli i kombinuar.
“Po shqyrtojmë të gjitha modalitetet, njëherësh shqyrtojmë të gjitha rreziqet nëse jetësojmë ndonjë nga modelet përkatëse . Ai vendim i cili do të jetë më racional duke pas parasysh dhe kualitetin e procesit arsimor, po rnjëkohësisht dhe shëndetin e nxënësve dhe mësimdhënëse, do ta miratojmë”, ka theksuar Ademi.
Nga sindikata e punonjësve të Arsimit kanë ngritur shqetësimin se një pjesë e konsiderueshme e mësimdhënësve nuk disponojnë me shkathtësi të caktuara për të realizuar mësimin online./REL/
The post Ende nuk dihet si do të fillojë viti i ri shkollor në Maqedoninë e Veriut appeared first on Telegrafi.