Nxënësit maqedonas të vitit të dytë në arsimin e mesëm nga libri i Sociologjisë mësojnë se shqiptarët, turqit e romët lindin shumë fëmijë, pasi siç thuhet një përqindje shumë e madhe e kësaj popullsie nuk është e arsimuar, nuk kanë kontroll të lindjeve andaj edhe përqindja e natalitetit të tyre është shumë më e lartë në raport me maqedonasit. Prandaj, në këtë njësi mësimore theksohet nevoja e marrjes së masave për të kthyer natalitetin në suaza normale apo të stimulohet nataliteti te maqedonasit, meqë siç thuhet, shpërpjesëtimi me grupet tjera etnike ka pasoja negative në planin politik, ekonomik dhe social.
Përmbajtje të tilla fyese, me shtrembërime historike, me gabime gjuhësore e përmbajtjesore, ka në shumë libra shkollor në arsimin fillor dhe të mesëm në Maqedoninë e Veriut. Ato janë denoncuar në vazhdimësi në media, por institucionet, përkatësisht Ministria e Arsimit, përveç premtimeve për evitimin e gabimeve të tilla, deri më tani nuk ka ndërmarrë asnjë masë konkrete.
Libri i Sociologjisë, me përmbajtje të tillë, është në përdorim që nga viti 2002. Nga Ministria e Arsimit, e cila drejtohet nga Milla Carevska, në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë kanë thënë se “gabimet do të përmirësohen në kudër të planit për reformën e plotë të sistemit arsimor, që parasheh sigurimin e teksteve cilësore në arsimin fillor dhe të mesëm”.
Me dikasterin e Arsimit që nga viti 2002 kanë udhëhequr pesë ministra shqiptarë, por asnjëri prej tyre nuk ishte i qasshëm për të komentuar gjendjen me tekstet mësimore. Gjatë mandateve të tyre, nuk kanë munguar premtimet dhe madje për këtë qëllim ishin formuar edhe komisione, por deri më tani nuk ka pasur asnjë epilog konkret, ndërkohë që tekstet me përmbajtje fyese e gabime tjera të shumta, vazhdojnë të jenë pjesë e sistemit mësimor.
Liman Aliu, mësimdhënës i Sociologjisë, thotë se ka qenë nxënës kur është përballur me fyerjet e rënda në këtë libër shkollor dhe tani si mësimdhënës thotë se mundohet që t’ua sqarojë nxënësve për shtrembërimet historike e fyerjet që u bëhen shqiptarëve. Ai pranon se faji për këtë u takon të gjithëve.
“Unë kam mbajtur mësim me nxënësit, por atyre ua kam sqaruar se ka shtrembërim të fakteve dhe për këtë dëshmitarë janë vetë nxënësit. Unë shumë kam qenë i emocionuar dhe i prekur nga ajo që përmban ky libër dhe sa herë që mbërrij në këtë njësi mësimore, mundohem t’ua sqaroj nxënësve, t’i ndërgjegjësojë ata apo t’ua sqaroj se çfarë mendojnë qarqet akademike maqedonase për shqiptarët”, thotë Aliu.
Xheladin Murati, profesor i Pedagogjisë thotë se kjo që ndodh me tekstet shkollore është kulmi i fyerjeve që i bëhen shqiptarëve, ndërsa përgjegjësinë thotë se fillimisht duhet kërkuar te shërbimi pedagogjik, autorët, recensentët, përkthyesit dhe lektorët e më pas edhe te Ministria e Arsimit.
“Ministria e Arsimit bartë përgjegjësi, por përgjegjësia më e madhe bie mbi shërbimin pedagogjik që merret me botimin e teksteve. Dhe, kjo nënkupton se ministri nuk i lexon librat, por ai duhet të informohet nga shërbimet pedagogjike. Pra, kompleksi është më i gjerë sepse përgjegjësia për gabimet, ato historike, kombëtare, për çështjet sociale, për aspektet gjuhësore të tekstit, për përkthimin me gabime të tekstit.. në radhë të parë fajtorë janë autorët, pastaj recensentët të cilët e kanë lejuar përdorimin e tij me të gjitha të metat që i posedon”, thotë Murati.
Ai thotë se testet më përmbajtje të tillë fyese për shqiptarët rrisin edhe mosdurimin etnik në vend dhe në këtë rast sipas tij, kemi të bëjmë me dështim të politikës arsimore që bart dhe rreziqe në një vend shumetnik, siç është Maqedonia e Veriut.
“Ajo që shkruhet nëpër tekste ndaj shqiptarëve, ofendimet që u bëhen atyre, paraqet dështim komplet të politikës arsimore. Por, si duket kjo mund të jetë bërë edhe me qëllim për të poshtëruar popullatën shqiptare me problemet me të cilat ajo nuk përballet, apo imponohen si të tilla. Mendoj se është gabim i madh që këto tekste ende vazhdojnë të jenë në përdorim. Ato nuk janë zbuluar sot, por në përdorim janë që nga viti 2002 apo 2003”, thotë profesori Xheladin Murati.
Përgjegjësia për këto skandale, sipas Muratit, u bie edhe mbi profesorët, të cilat nuk kanë ndërmarrë asnjë masë, apo edhe të bojkotojnë tekstin shkollor nga ana e nxënësve. Ai thotë se nuk duhet të priten reformat në arsim që të ndryshohen tekstet, por të ketë botime krejt të reja, pasi gabimet janë aq që mëdha, jo vetëm fyese apo me gabime gjuhësore, por edhe përmbajtjesore, pasi nuk kanë asnjë logjikë në trajtimin, qoftë edhe të temave shkencore./REL/
The post Ende në përdorim tekstet shkollore që fyejnë shqiptarët në Maqedoni appeared first on Telegrafi.