Komisioni Parlamentar për Zgjedhje dhe Emërime sot ka miratuar propozimin për emërimin e anëtarëve të Këshillit të ASHMAA.
Në listë janë: Viktor Pavlovski, Sasho Stefanovski, Petar Djurovski, Cvetanka Minovska, Afrona Vrzivoli, Nafije Selmani dhe Gordana Majnova.
Mirëpo për këto emërime reaguan nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë – SHGM.
Siç thuhet në njoftimin e tyre, disa nga kandidatët nuk plotësojnë as kushtet formale sipas shpalljes së publikuar.
“Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) shpreh shqetësimin për zgjedhjen e sotme të kandidatëve të propozuar për anëtarë të Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (ASHMAA) në Komisionin parlamentar për zgjedhje dhe emërime.
Është shqetësues fakti se disa nga kandidatët e përzgjedhur të cilëve iu është dhënë mundësia të marrin pjesë në dëgjimin publik nuk i plotësojnë as kushtet formale sipas shpalljes së publikuar. Problematike është edhe historia partiake e disa prej kandidatëve që propozohen për votim në Kuvend. Në të njëjtën kohë, kandidatët që kishin një portofol të spikatur profesional nuk u morën parasysh.
Në seancën e sotme ka munguar transparenca në përzgjedhjen e kandidatëve, kritere të qarta dhe pikëzim e përzgjedhje e duhur që do të tregonte paanshmëri të plotë në përzgjedhjen e kandidatëve më të mirë.
Kjo mënyrë përzgjedhjeje ka hapur vend për dyshime se Kuvendi gjatë përzgjedhjes së kandidatëve udhëhiqet nga marrëveshjet dhe kompromiset politike dhe jo nga kriteret profesionale, siç duhet të jetë me rastin e përzgjedhjes së anëtarëve të një organi të pavarur rregullator siç është ASHMAAV-ja”, thonë nga SHGM.
Nga SHGM kujtojnë ASHMAAV për rëndësinë e pavarsisë dhe profesionalizmit mediatik.
“Ju kujtojmë rëndësinë e pavarësisë politike dhe profesionalizmit të këtij organi rregullator. SHGM-ja thekson rëndësinë e zgjedhjes së anëtarëve kompetentë dhe të pavarur në Këshillin e Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (ASHMAAV). Kjo është thelbësore për sigurimin e efikasitetit dhe paanshmërisë së organit rregullator, veçanërisht në një kohë kur po shqyrtohen ndryshimet në Ligjin për Media që parashikojnë zgjerimin e kompetencave të Agjencisë, duke përfshirë krijimin e një regjistri vullnetar për mediat online dhe mundësinë e krijimit të një fondi për të mbështetur pluralizmin mediatik.
Theksojmë se puna e rregullatorit të medias është nën vëzhgimin e rregullt nga Komisioni Evropian dhe organizata të tjera të besueshme si Reporterët pa Kufij dhe Freedom House. Efikasiteti i punës së tyre, përveçse ndikon në përmirësimin e kushteve në të cila funksionojnë të gjitha mediat në vend, ka një rëndësi të veçantë në proceset integruese evropiane të vendit. Vetëm me një përbërje profesionale, kredibilitet dhe integritet, ASHMAAV-ja do të mund të përmbushë me sukses detyrimet e reja dhe të ruajë rolin e saj si rregullator i pavarur në hapësirën mediatike. Prandaj, i bëjmë thirrje deputetëve dhe Kuvendit që të tregojnë përgjegjësi gjatë përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit, duke qenë se vendimet e tyre ndikojnë drejtpërdrejt në lirinë dhe pluralizmin e mediave në vendin tonë.”, thuhet në reagim. /Telegrafi/
The post Emërimet e Anëtarëve të Këshillit të ASHMAA, reagon SHGM: Disa prej kandidatëve nuk i plotësojnë kushtet e kërkuara appeared first on Telegrafi.