
Metroja e kryeqytetit apo treni i qytetit të Shkupit si një ide e përfolur që në kohë të ish-qeverisë së LSDM-së, por edhe 40 vite më parë, pritet të qartësohet në dy muajt e ardhshëm pas studimit të fizbilitetit nga ana e Fakultetit të Ndërtimtarisë në Shkup për shpagueshmërinë dhe nivelin e përdorimit të tij në 10 vite. Ekspertët theksojnë se shpejtësia e lëvizjes nuk është përparësia e vetme që mund të ketë hekurudha urbane-periferike në Shkup, por gjatë vlerësimit të arsyetimit të investimit duhet të merren parasysh edhe faktorë të tjerë, si ndotja e mjedisit, bllokimi i trafikut, aksidentet në komunikacion, shkruan gazeta Koha.
Nëse Shkupi do të kishte një hekurudhë periferike si mjet për transport masiv të udhëtarëve, atëherë koha e udhëtimit në vendbanimet periferike rreth kryeqytetit do të shkurtohej për të paktën gjysmën e kohës në krahasim me kohëzgjatjen aktuale të udhëtimeve me linjat periferike të Ndërmarrjes së Transportit Publik – Shkup dhe transportuesit privatë të autobusëve, thonë ekspertët .
Në Shkup, ideja për të futur një hekurudhë qytet-periferike është pothuajse katër dekada e vjetër. Ajo u përditësua pas krizës së madhe të naftës në Jugosllavi në vitin 1982, me shpresën se trenat ndërmjet vendbanimeve periferike të Shkupit dhe stacionit të ri hekurudhor qendror, do të ishin në gjendje të kompensonin rritjen e mprehtë të numrit të pasagjerëve në transportin publik që ndodhi për shkak të mungesës së karburanteve. Njëherësh, ajo u aktualizua edhe në Programin e Punës së Qeverisë së kaluar LSDM-BDI, e cila premtoi zhvillimin e një projekti pilot për futjen e linjës hekurudhore Shkup- Zelenikovë-Draçevë-Lisiçe-Pintia-11 tetori, ndërtimin e linjës së re hekurudhore në Aeroportin e Shkupit, si dhe zhvillimin e projektit dhe dokumentacionit teknik për elektrifikimin e linjës hekurudhore nga Qendra e Transportit përmes Shkupit-Veri, Gjorçe Petrov dhe Volkovës e deri në Bllacë. Synohej të shfrytëzohet infrastruktura ekzistuese hekurudhore në Shkup, si dhe trenat ekzistues, në mënyrë që qytetarët nga vendbanimet më të largëta – të kenë mundësi të arrijnë në qendër të qytetit në këtë mënyrë. Premtime të ngjashme tani po jepen edhe nga qeveria aktuale e OBRM-VLEN-ZNAM. Këtë vit do të shpenzohen 6 milionë euro për projektin e ri “Treni i qytetit”, i cili ende nuk është përcaktuar nëse do të jetë fitimprurës dhe nëse do të ketë interes për të. Kështu shkruhet në Programin investues për vitin 2025 të ndërmarrjes publike “Hekurudha – Infrastruktura”. Këto para duhet të përdoren për pastrimin e rrugëve periferike në Shkup dhe për të ndërtuar mini-stacione për të ringjallur këtë “metro mbi tokë”.
Me këto para pritet të rindërtohen linjat hekurudhore në dhe rreth Shkupit. Bëhet fjalë për hekurudhat Shkup-Ilinden-Miladinovci me 20 kilometra, Shkup-Draçevë-Zelenikovë me 25 kilometra dhe Shkup-Gjorçe Petrov-Volkovë 18 kilometra. Nëse nga studimi rezulton se është ekonomikisht e qëndrueshme, autoritetet thonë se punimet ndërtimore duhet të nisin më së voni gjatës verës.
“Ne do të fillojmë patjetër punimet e ndërtimit këtë pranverë dhe verë. Por le të shohim, varësisht se sa do të ketë nevojë për rindërtim dhe rehabilitim, nëse do të arrijmë të përfundojmë gjithçka këtë vit apo do të përfundojë një pjesë për vitin e ardhshëm. Por, sido që të jetë, do të bëjmë përpjekje serioze që deri në fund të këtij viti të funksionojë së paku njëra, minimalisht një nga këto tri linja kryesore në Shkup” , thotë numri një i ndërmarrjes së “Hekurudhës – Transporti”, Sinisha Ivanovski. “Metro mbi tokë” duhet të lidhë vendbanimet Volkovë, Dame Gruev, Gjorçe Petrov, Butel, Gazi Babë, Draçevë dhe Lisiçe me stacionin kryesor hekurudhor në qendër të qytetit dhe të mundësojë udhëtimin nga një skaj i qytetit në tjetrin, duke shmangur bllokimet e trafikut. Efektet, siç thotë Ivanovski, do ishin rritja e efikasitetit të transportit në rajonit e Shkupit dhe ulja e tollovive në trafik, si dhe ulja e ndotjes ku në vend të veturave do të përdorej transporti me tren.
Ndryshe, transporti i shpejtë me autobus në Shkup apo BRT ishte projekt i administratës së mëparshme të qytetit, mirëpo realizimi kurrë nuk pa dritë. Atëkohë u tha se do zvogëlohet tollovia në trafik dhe do të ulet ndotja e ajrit. Autobusët nga sistemi BRT ishte planifikuar të jenë me lëvizje hibride të gazit dhe energjisë elektrike dhe me një gjatësi prej 18 metrash. Dhe, dështimi i realizimit të projektit që kushtonte 70 milionë euro, tani i kushton shtetit mbi 350 mijë euro dëm vetëm nga dëmshpërblimi që i paguhet kreditorit. Marrëveshja me kreditorët ishte nënshkruar nga ish-kryetari i Shkupit, Petre Shilegov.
Sistemi i shpejtë i transportit me autobus është një lloj i ri i transportit publik të qytetit, ku biletat blihen në stacion, gjë që mundëson ndalimin sa më të shkurtër të mjeteve të sistemit të autobusëve të shpejtë në stacionet e hyrjes dhe daljes së pasagjerëve. Për shembull, distanca nga Novo Lisiçe deri në Gjorçe Petrov mund të përshkohet për rreth 30 minuta. Njëherësh, ai paraqet një lloj të ri të transportit publik të qytetit, me një linjë autobusi të ndarë fizikisht, me stacione të tipit të mbyllur, dhe me përparësi në kryqëzimet e sinjalizuara. Nga ana tjetër, me sistemin ekzistues të transportit publik, edhe po të blihen autobusë të ri – nuk do të eliminohen tollovitë në mungesë të traseve të veçanta. Me fjalë të tjera, BRT është identik me tramvajet e shpejtë dhe sistemin e metrosë. Pritet të shikohet se çfarë zgjidhje për transportin urban në Shkup do të ofrojë krye bashkiaku i ri i Shkupit që do të zgjidhet në vjeshtë./Koha.mk/
The post Edhe një premtim për trenin e shpejtë brenda Shkupit appeared first on Telegrafi.