Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, realizoi sot takim pune me Përfaqësuesin e përhershëm të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara – UNDP në Maqedoninë e Veriut, Armen Grigorjan.
Sip informoi ministria dikasteriale, tema e takimit ishte bashkëpunimi i deritanishëm i UNDP-së me Ministrinë e Ekonomisë dhe bashkëpunimi i ardhshëm me Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës në përputhje me riorganizimin e ministrive.
Ministri Durmishi falënderoi për kontributin që UNDP-ja e ka dhënë deri më tani në promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm në Maqedoninë e Veriut.
“Ministria e Ekonomisë dhe Punës me riorganizimin e ministrive ka kompetenca të reja. Fokusi i punës do të jetë përmirësimi i klimës së biznesit në vend, mbështetja e kompanive vendore, mbështetja e sipërmarrësisë, përmirësimi i kushteve për investitorët e huaj, si dhe përmirësimi dhe zhvillimi i tregut të punës si kompetencë e re që po e marrim përsipër. Mbështetja nga partnerë të ndryshëm është me rëndësi të madhe për zhvillimin aktual dhe të ardhshëm të sektorit shtetëror dhe privat në Maqedoninë e Veriut”, tha ministri Durmishi.
Përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP-së, Grigorjan, prezantoi aktivitetet dhe sektorët që janë në fokus të punës së tyre.
Ministri Durmishi theksoi se Ministria e Ekonomisë dhe Punës do të jetë e përkushtuar në avancimin e bashkëpunimit të mëtejshëm me UNDP-në në fushën e rritjes ekonomike dhe krijimit të vendeve të reja të punës, si dhe mbështetjen për integrimin në BE.
The post Durmishit-Grigorjan: Jemi të përkushtuar të thellojmë bashkëpunimin për rritjen ekonomike appeared first on Telegrafi.