Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) ka dënuar dënon incidentin ku u dogj automjeti i gazetares së portalit “sdk.mk”, Suzana Vrencovska nga Ohri. Automjeti u dogj më 5 janar 2025, në oborrin e shtëpisë familjare, në garazhin ku ishte parkuar.
Nga SHGM thonë se sipas informacioneve fillestare, dyshohet se bëhet fjalë për një akt të qëllimshëm.
“I bëjmë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme të zhvillojë një hetim të shpejtë dhe të plotë për të përcaktuar të gjitha detajet dhe motivet e këtij incidenti të rëndë. Ky rast tregon një prirje shqetësuese të rritjes së rreziqeve me të cilat përballen gazetarët në vend. Për më tepër, ky nuk është një incident i izoluar. Në tetor të vitit 2024, u dogj edhe automjeti i kolegut Bllagoj Sersemov, redaktor i televizionit lokal dhe portalit online M-net nga Shtipi”.
“Edhe pse motivet për këto sulme ende nuk janë përcaktuar, është e rëndësishme të theksohet se incidente të tilla, nëse mbeten pa një zgjidhje ligjore, mund të krijojnë ndjenjë pasigurie mes gazetarëve dhe të dëmtojnë punën e tyre në shërbim të interesit publik.
“I bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse të ndërmarrin masa të menjëhershme dhe konkrete për të zbardhur plotësisht të dy rastet, ndërsa autorët doemos duhet të identifikohen dhe të ndëshkohen. Është e papranueshme që të ekzistojë pandëshkueshmëri dhe të krijohet hapësirë për spekulime në diskursin publik. Veprimi i shpejtë është jetik për ruajtjen e lirisë së shprehjes dhe parandalimin e vetëcensurës mes gazetarëve”, thonë nga SHGM.
The post Digjet automjeti i gazetares nga Ohri, SHGM kërkon zbardhje të rastit appeared first on Telegrafi.