Komuna e Dibrës dhe Likovës javën e ardhme do të vendosin nëse mësimi në vitin e ri shkollor do të realizohet edhe me praninë fizike të nxënësve. Për këtë vendim, komunat duhet të dorëzojnë kërkesë tek Ministria e Arsimit, ndërsa kjo e fundit bashkë me një grup të posaçëm pune me anëtarë nga Komisioni për Sëmundje Ngjitëse do të shqyrtojnë kërkesat dhe varësisht nga gjendja epidemiologjike do të marrin një vendim. Kryetari i Dibrës tha për Alsat se shkollat në këtë komunë nuk janë të stërngarkuara me nxënës.
“Ne si Komunë e Dibrës në diskutim me drejtorët e shkollave u konstatua se ne mund që të kemi mundësi që të ndiqet mësimi edhe me prezencë fizike ngase klasat të cilat I kemi ne nuk janë të plotësuara maksimalisht me nxënës. Nëse ne i plotësojmë kushtet mendojmë se prezenca fizike do të jetë shumë më efikase për zhvillimin e procesit arsimor në komunën tonë. Për momentin, mesatarisht ne kemi nga 15 nxënës, domethënë mundemi që të sigurojmë edhe prezencën fizike- deklaroi Hekuran Duka, kryetar i Dibrës.
Kryetari i Likovës tha se edhe në komunën që ai drejton interesimi është i lartë që mësimi të zhvillohet me prani fizike. Sipas Arifit, çdo vendim nga komuna do të marrë për bazë rekomandimet shëndetësore për mbrojtje nga Covid 19.
“Fshatrat të cilat janë me numër të banorëve, me numër nxënës më të vogël sigurisht se aty është mundësia më e lehtë që të realizohet procesi edukativo arsimor. Sidoqoftë, ditën e hënë do të vendosim bashkërisht me drejtorët, bashkërisht me këshillin e prindërve, këshillin e shkollës dhe kështu do të marrim një vendim të unifikuar. Kërkesa e tyre është që fëmijët tanë, nxënësit tanë të shkojnë nëpër shkolla dhe të mësojnë me prezencë fizike’-pohoi Erkan Arifi, kryetar I Komunës së Likovës.
Qeveria nuk ka vendosur se kur do të fillojë viti i ri shkollor. Mirëpo, ka miratuar vendimin për mënyrën e realizimit të procesit edukativo arsimor. Mësimi do të zhvillohet kryesisht në online, me dy përjashtime. Fëmijët nga klasa e parë e deri në tretën do ta ndjekin me prani fizike, ndërsa pjesa tjetër e nxënësve nga arsimi fillor dhe i mesëm mësimin do ta ndjekin nga distanca. Prindërve të nxënësve deri në klasën e tretë do t’u jepet edhe mundësia e zgjedhjes. Ata kanë të drejtë të kërkojnë që fëmijët e tyre të mos detyrohen për prani fizike në shkolla por realizimin e mësimit ta ndjekin përmes internetit.
The post Dibra dhe Likova vendosin javës tjetër për mësimin me prezencë fizike appeared first on Telegrafi.