Komisioni Evropian dhe Këshilli i BE-së sqarojnë se pas kompromisit me Bullgarinë, zhbllokimi i marrëveshjes së Fronteks me Maqedoninë e Veriut do të trajtohet si prioritet, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Maqedonia e Veriut e inicioi këtë marrëveshje me BE-në në vitin 2018, por ndërkohë Fronteks (gjegjësisht Agjencia Evropiane e Kufirit dhe Bregdetit që “mbron kufijtë e BE-së”) ka pësuar disa ndryshime legjislative dhe ligjore, të cilat tani duhet t’i nënshtrohen rinegocimeve në BE që të përditësohet marrëveshja me Maqedoninë e Veriut për të qenë në përputhje me modelin që vlen për të gjitha vendet pjesëmarrëse.
Procedura zhvillohet sipas nenit 218 të Kartës së BE-së.
Ndryshimet kryesore që do të bëhen në marrëveshje i referohen, ndër të tjera, lejes për vendosjen e agjencisë në vendet jashtë BE-së, mbikëqyrjes së kontrabandës së emigrantëve, mbrojtjes dhe monitorimit të zgjeruar të të drejtave themelore të njeriut, veçanërisht pasi kjo agjenci iu nënshtrua shumë skandaleve lidhur me trajtimin e oficerëve të saj kufitarë ndaj refugjatëve dhe emigrantëve në kufijtë e jashtëm të BE-së.
Ky model i ri i Fronteks duhet të integrohet në marrëveshjen e përditësuar me Maqedoninë e Veriut, e cila kërkon që Komisioni Evropian të rekomandojë fillimisht fillimin e negociatave dhe Këshilli i BE-së (vendet anëtare) të japë dritë të gjelbër për ato negociata.
Pritet që Komisioni Evropian të nxjerrë së shpejti rekomandimin dhe Këshilli të japë dritë të gjelbër për negociata. Burimet e AIM-së në Komisionin dhe Këshillin nuk duan të spekulojnë për data, por shpresojnë që nga vjeshta deri në fund të vitit marrëveshja të finalizohet dhe më pas të ratifikohet./Telegrafi/
The post Deri në fund të vitit mund të finalizohet marrëveshja e BE-së dhe Maqedonisë së Veriut për Fronteks appeared first on Telegrafi.